
Ditë më parë, mediat italiane bënë me dije se hapja e kampeve për pritjen e refugjatëve në Gjadër në kuadër të marrëveshjes Itali-Shqipëri, nuk do të bëhej më 20 maj, siç ishte planifikuar.
I pyetur për këtë çështje, kryeministri Edi Rama në një intervistë për “La Repubblica”, u shpreh se kjo është një çështje që i përket shtetit italian.
“Shqipëria ofroi disponueshmëri dhe tokë, por asgjë më shumë”.- u shpreh Rama duke qartësuar se shtyrja e afatit për ngritjen e qendrave, nuk ka të bëjë me parregullsi nga ana e palës shqiptare.
Ndër të tjera, kreu i ekzekutivit shprehur hapur skepticizmin e tij sa i takon menaxhimit të qendrave të refugjatëve që do të zënë vend në Gjadër, duke nënvizuar se do të jetë e vështirë të menaxhohen 3 mijë persona në 28 ditë me gjithë burokracitë evropiane.
“Qendra do të jetë gati për disa muaj gjithsesi, kjo nuk është asgjë! Por problemi do të jetë funksionimi i tij! Dhe do të jetë shumë e vështirë për procedurat: si do të menaxhoni 3000 persona në 28 ditë me burokracitë italiane dhe rregullat evropiane?”- shtoi kryeministri.
Emigrantët do të qëndrojnë në kampin e Gjadrit në Lezhë ndërkohë që pala italiane shqyrton kërkesat e tyre për azil në Itali. Marrëveshja mes Ramës dhe Melonit u firmos në nëntor të vitit 2023. Investimi me vlerë 653 milionë euro po bëhet me fonde të qeverisë italiane, ndërsa maksimumi i kapacitetit që kampet mund të përballojnë në vit është 36 mijë persona.







