Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kërkesës së bërë nga kompania kineze e “TikTok”-ut pas njoftimit se rrjeti social do të mbyllet për përdoruesit në Shqipëri.
Nëpërmjet një reagimi në rrjetin “X”, Rama shkruan se kompania e TikTok nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, duke argumentuar se janë shqiptarët që marrin vendimet dhe jo algoritmet e rrjetit social i cili sipas tij po ndikon shumë keq tek të miturit në vend.
“Ndalimi i TikTokut për (të paktën) një vit në Shqipëri, nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por një vendim i këshilluar gjerësisht me komunitetet e prindërve në shkollat e gjithë Shqipërisë. TikToku nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut. Ndërsa Shqipëria është shumë e vogël për t’i kërkuar TikTokut të mbrojë fëmijët dhe rininë nga humnerat e frikshme të algoritmit të tij, por uron që TikToku ta bëjë këtë për të mirën e të gjithë njerëzimit, përfshirë edhe Shqipërinë”- shkruan kryeministri.
Teksa e lidhi vendimin me vrasjen me thikë të 14 vjeçarit në Tiranë të ndodhur më 18 nëntor pranë shkollës “Fan Noli”, Rama tha se kjo platformë ka sjellë kërcënim për rininë dhe fëmijët.
“Të thuash se vrasja e nxënësit adoleshent s’ka lidhje me TikTokun, sepse konflikti nuk qenka gjeneruar nga Tik Toku do të thotë të mos kesh kuptuar as seriozitetin e kërcënimit që ajo plaftormë ka sjellë për fëmijët dhe rininë e kësaj kohe, as fillin e arsyetimit të vendimit tonë për të marrë përgjegjësinë e reagimit ndaj atij kërcënimi”- theksoi Rama.
Reagimin e tij e mbylli duke theksuar se shumica e prindërve e kanë kërkuar një gjë të tillë pasi nuk kontribuon në përmirësimin e shëndetit të fëmijëve, përkundrazi.
“Fortlumturisht Shqipëria është një vend demokratik, ku kur mbi 90% e prindërve kërkojnë ndalimin e TikTokut dhe kur shumica dërmuese beson se shëndeti i fëmijëve tanë nuk mund t’i shërbejë platformës, po platforma duhet t’i shërbejë shëndetit të fëmijëve tanë, atëherë vendimi ynë nuk ka se si të jetë më i qartë: Ose vetë TikToku duhet t’i mbrojë fëmijët e Shqipërisë ose Shqipëria do t’i mbrojë fëmijët e vet nga TikToku”- e mbyll kryeministri shkrimin e tij.
Për këtë lajm, opozita ka reaguar duke e konsideruar si “përpjekje të Ramës për censurim”. Sipas kryedemokratit Sali Berisha, pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, kreu i qeverisë po përpiqet të mbyllë një rrjet social ku ka pasqyrim të realitetit të vendit. Versus.al








