POLITIKË /

Me 6 dhjetor Partia e Lirisë proteston para SPAK për arrestimin e Ilir Metës

Shkruar nga Versus

Me 6 dhjetor Partia e Lirisë proteston para SPAK për arrestimin e Ilir

Partia e Lirisë ka zhvilluar mbrëmjen e sotme mbledhjen e shtabit të zgjeruar të Tiranës, nga ku Sekretari i Përgjithshëm Tedi Blushi ka njoftuar zhvillimin e një protestë para SPAK më 6 dhjetor.

“Në 6 dhjetor, në ora 12:00 do të nisim stinën e protestave para SPAK-ut. Mosbindja civile është rruga e vetme për t’i dhënë Shqipërisë paqe politike dhe sociale dhe një zgjidhje politike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Blushi në mbledhjen e PL.

Blushi e ka cilësuar Prokurorinë e Posaçme si “koburja kryesore që po përdoret kriminalisht nga Edi Rama kundër opozitës”, që sipas tij e ka shndërruar Shqipërinë ndër të paktat vende në botë me të burgosur politikë.

“Arrestimet politike, fund e krye kriminale, të urdhëruara nga tribuna e Kongresit të PS nga Edi Rama ndaj Presidentit Meta, Z. Berisha, Salianjit dhe Belerit janë prova të pakundërshtueshme për asgjesimin total të reformës në drejtësi, të shtetit të së drejtës dhe të instalimit të një regjimi mafioz. Vendimtare mbetet qëndresa e brendshme e vetë shqiptarëve kundër regjimit, si edhe organizimi i shqiptarëve në Europë, SHBA e kudo për të protestuar dhe për t’u mobilizuar për zgjedhjet e ardhshme”, tha Blushi.

Blushi pati edhe një thirrje për protestën e thirrur nga Partia Demokratike, e cila do të zhvillohet nesër në kryeqytet, duke kërkuar mbështetje masive nga qytetarët.

“Vetëm me mosbindje civile dhe me protesta të fuqishme shqiptarët do t'i shkurtojnë ditët dhe do t’i japin fundin e merituar regjimit të korruptuar dhe kriminal të Edi Ramës. Ndaj nesër, në ora 17:00, të marshojmë në Tiranë për të shprehur fuqishëm zemërimin qytetar për inkriminimin e tmerrshëm, korrupsionin skizofrenik dhe braktisjen e paskrupullt të qytetarëve, të pensionistëve, të të rinjve dhe të rejave nga Qeveria më antikombëtare që ka njohur vendi”, deklaroi Blushi.  

 

Poll