POLITIKË /

'Më shiko në sy' / Debate në Këshillin Bashkiak të Kukësit për “Buxhetin 2025”, kryebashkiaku: Jam shumë i bukur...

Atmosferë e tensionuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Kukës

Shkruar nga Versus
'Më shiko në sy' / Debate në Këshillin Bashkiak
Albert Halilaj

Këshilli i Bashkisë Kukës zhvilloi sot mbledhjen e tij përmbyllëse të vitit, ku u miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës, përfshirë edhe buxhetin vjetor. Buxheti i këtij viti arrin një vlerë prej 1.143.548.000 lekësh, nga të cilat 60% do të destinohet për pagat e punonjësve të bashkisë.

Ndërsa 40% e kësaj shumë do të përdoret për realizimin e investimeve në 38 projekte publike në kuadrin e qeverisjes lokale.

Një pikë e cila shkaktoi debat dhe tension të konsiderueshëm në sallë ishte ajo që lidhej me taksat vendore për vitin 2025. 

Në fillim të mbledhjes, këshilltari Astrit Dobrushi ngriti një pyetje lidhur me bazën ligjore mbi të cilën Drejtoria e Tatimeve në Bashkinë Kukës ka ndërtuar propozimet për taksat e vitit të ardhshëm, por përgjigjja e drejtorit të kësaj zyre Përparim Guri vetëm sa shtoi tensionin e diskutimeve.

Një atmosferë e tensionuar u krijua gjithashtu nga debati mes përfaqësuesve të një shoqate të energjisë së rinovuar dhe kryebashkiakut të Kukësit, Albert Halilaj. Fjalori i përdorur në këtë diskutim ishte i papërshtatshëm për një takim të tillë.

Debati degradoi mes përfaqësuesve të kësaj shoqate dhe kryebashkiakut:

Avokatja: Të lutem zotëri, të lutem! Është shumë dominuese, ishte një taksë vendimore, që zë një vend të konsiderueshëm në buxhetin tuaj.

Kryebashkiaku Halilaj: Herë tjetër, më fal, kur të vish herë tjetër….

Avokatja: Jo nuk vij herë tjetër, por erdha me të pa një herë….

Kryebashkiaku Halilaj: Jam shumë i bukur…. (Të qeshura në sallën e mbledhjes).

Avokatja: Nuk kamë ardhur me të pa ty. E kam shumë më të bukur atë në shtëpi unë.

Kryebashkiaku Halilaj: Me sjellë statusin e shoqërisë…

Avokatja: Jemi të prezantuar me e-mail në rrugë zyrtare. Zotëri, e para, trego respekt një herë, se nuk jemi te kafja këtu edhe më shiko një çik në sy, sepse këtë lloj komunikimi nuk është i denjë të paktën për postin që mbani. Dhe nëse ti do të kesh mirësinë të dëgjosh se ka nja 30 veta këtu….

Kryebashkiaku Halilaj: Më kanë votuar qytetarët e Kukësit dhe do të mbroj interesat e tyre./Versus.al

 

 

Poll