
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni pritet që nesër të mbërrijë në Shqipëri rreth orës 12:20 për të vizituar më pas kampet që po ndërtohen në Lezhë për pritjen e refugjatëve afrikanë.
Mësohet se pas mbërritjes, Meloni, e shoqëruar nga kryeministri Edi Rama do të mbërrijë në Shëngjin ku do të shohë punën e bërë për ndërtimin e 2 kampeve në Shëngjin dhe Gjadër.
Menjëherë pas përfundimit të inspektimit të punimeve të zgjatura, Meloni do të udhëtojë drejt Italisë për angazhimet e saj paraelektorale.
Shëngjini do jetë porti pritës për emigrantët afrikanë të cilët do të strehohen në Shqipëri derisa pala italiane të ezaurojë procedurat për kërkesat e tyre të azilit. Pakti për emigrantët, u firmos në Romë më 6 nëntor mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes Giorgia Meloni dhe më pas u ratifikua në parlamentet e të dyja vendeve. Kjo marrëveshje do të ketë një afat 5 vjeçar gjatë së cilës emigrantët që tentojnë të hyjnë në Itali do të sillen në Shqipëri në Gjadër dhe Shëngjin të Lezhës ku po ngrihen strukturat akomoduese dhe do presin miratimin e kërkesës për azil apo dëbimit të tyre në atdhe.
Kapaciteti maksimal është 3 mijë emigrantë çdo muaj, duke u përllogaritur një shifër totale prej 36 mijë emigrantë të mundshëm në vit të cilëve do u shqyrtohen kërkesat për azil. Versus.al







