POLITIKË /

"Ministrat e kryeministri s'mund të pezullohen", zbardhen ndryshimet që socialistët do të bëjnë në legjislacion

Këto ndryshime Rama ia ka besuar ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari.

Shkruar nga Versus

"Ministrat e kryeministri s'mund të pezullohen", zbardhen

Pasi Gjykata Kushtetuese nuk mundi të merrte vendim duke lënë në fuqi pezullimin e kërkuar nga SPAK për Belinda Ballukun, socialistët janë organizuar për të ndërhyrë në legjislacion ashtu siç e pati paralajmëruar kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë ia ka besuar ministrit Besfort Lamallari ndryshimet e nenit 242 të Koditt ë Procedurës Penale. Gjithashtu janë mësuar ndryshimet e mundshme të këtij neni i cili është si më poshtë:

“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.

Mësohet se ndryshimi i nenit parashikon moslejimin e pezullimit nga detyra të të gjithë funksionarëve, funksionet e të cilëve burojnë nga Kushtetuta.

“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”.

Nuk dihet ende kur ndryshimi mund të shkojë për diskutim dhe votim në Kuvend, ndërsa synohet që mazhoranca t’i japë fund debatit politik dhe juridik për veprimet e SPAK. Një ndryshim i tillë do t’u garantonte pothuajse paprekshmërinë anëtarëve të qeverisë. Versus.al

Poll