
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas pretendimeve të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me një letër që i është dërguar institucioneve ndërkombëtare të përfshira në vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Në reagimin zyrtar, MEPJ sqaron se letra nuk përbën as ndërhyrje në punën e Misionit të ODIHR-it, e aq më pak presion ndaj tij.
Sipas ministrisë, praktika e dërgimit të sqarimeve teknike dhe kontekstit për gjetjet e raportit paraprak është standarde në çdo proces zgjedhor dhe synon të ndihmojë në një raportim përfundimtar të bazuar në fakte dhe prova.
"Edhe në këtë rast, janë përcjellë sqarime që mund të merren në konsideratë nga raportuesit, por vendimmarrja për përfshirjen e tyre mbetet në diskrecionin e plotë të misionit të ODIHR-it," thuhet në deklaratë.
Ministria kujton gjithashtu se vetë ODIHR ka deklaruar më parë se nuk ka pasur asnjë presion ndaj misionit të tij, ndërsa thekson angazhimin për të respektuar pavarësinë dhe integritetin e çdo mekanizmi vëzhgues ndërkombëtar.
Reagimi i plotë i Ministrisë së Jashtme:
Në lidhje me pretendimet e sotme të Kryetarit të Partisë Demokratike mbi letrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme drejtuar institucioneve ndërkombëtare të përfshira në vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 në Shqipëri, sqarojmë se:
Siç është e qartë dhe në letrën e përmendur, nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punën e Misionit të vëzhguesve të ODIHR, dhe aq më pak presion ndaj tyre.
Është në praktikën normale të çdo procesi zgjedhor, që autoritetet e shtetit pritës të përcjellin pranë Misionit vëzhgues saktësime teknike dhe kontekst lidhur me gjetjet e raportit paraprak, për të cilat vlerësohet se janë të nevojshme për t’u konsideruar në një raport përfundimtar të bazuar në fakte dhe prova.
Edhe në rastin në fjalë, janë paraqitur sqarime që janë vlerësuar se mund të merren parasysh nga raportuesit gjatë hartimit të Raportit përfundimtar. Sigurisht, marrja në konsideratë apo jo e sqarimeve, është ne diskrecionin e plotë të Misionit vëzhgues.
Kujtojmë se edhe vetë ODIHR ka reaguar më parë që nuk ka pasur një presion të tillë.
MEPJ mbetet gjithmonë e angazhuar për të respektuar pavarësinë dhe integritetin e çdo mekanizmi vëzhgues në përputhje me mandatin që i është ngarkuar nga ODIHR./Versus.al







