POLITIKË /

''Momenti im më i vështirë'', Florjan Binaj njofton largimin nga 'Piranjat' pas kandidimit për bashkinë e Tiranës

Shkruar nga Versus

''Momenti im më i vështirë'', Florjan Binaj

Kandidati i pavarur për bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj sot njoftoi se do të ndërpriste rrugëtimin e tij si pjesë e emisionit investigativ ''Piranjat'' për t'u përkushtuar në iniciativën që ka ndërmarrë si kandidat për kreun e bashkisë më të madhe në vend.

Gjatë fjalës së tij të lamtumirës përmendi edhe takimet me mijëra njerëz për të dëgjuar hallet e këtyre të fundit të cilët i kërkonin ndryshim për gjendjen ku ndodhen prej kohës. Binaj tha se kandidimi i tij është hapi i parë i hedhur drejt ndryshimit, ndërsa ftoi qytetarët e Tiranës që ta mbështesin.

Pjesë nga fjalimi i tij:

Sot, është momenti im më i vështirë në këtë skenë.

Sepse sot, duhet të ndahem me Piranjat.

Po ndahem me nostalgji nga një punë dhe një program që i dua shumë dhe që i ndjej pjesë të trupit tim.

Por po ndahem, për diçka më të madhe.

Kanë qenë 3 vjet që më kanë rritur shumë si artist dhe si njeri. Për 3 vjet, në këtë familjen tonë të vogël, kemi denoncuar jo vetëm korrupsionin dhe abuzimin, por kemi ekspozuar edhe brishtësinë e shoqërisë shqiptare, plot me plagë shoqërore, morale dhe emocionale.

Për mua, humori nuk ka qenë thjesht argëtim, por një ilaç që zbut dëshpërimin, dhimbjen e njerëzve. E kam përdorur humorin dhe si mjet për të hapur sytë për të keqen që na rrethon dhe për ta vënë pushtetin para përgjegjësisë.

Këto vite kam prekur gjithë Shqipërinë dhe jam takuar me mijëra njerëz, me halle të mëdha dhe të vogla. Kam dëgjuar prej tyre që duhet ndryshim, që diçka duhet të ndryshojë. Por kam kuptuar që janë të humbur dhe shumica nuk e dinë dhe nuk e kuptojnë si bëhet ndryshimi.

Puna është, si ndodh ndryshimi.

Unë e kam menduar gjatë, si bëhet ndryshimi?

Si vjen ndryshimi?

Duke hedhur një hap.

Ndryshimi vjen vetëm kur dikush bën një hap.

A flasim për ndryshim? A themi, kush do ta ndryshojë këtë vend?

Unë e bëra hapin tim.

Pas meje një tjetër, dhe një tjetër, dhe një tjetër.

Le të bëhemi 2, 3, 10, 100, 1 mijë, 100 mijë…

Derisa të gjithë të bëjmë një hap për ndryshimin.

Dje Gjykata Kushtetuese pezulloi zgjedhjet në Tiranë, ndërsa Binaj u shpreh i gatshëm të kandidojë kurdo që të mbahen zgjedhjet. Versus.al

Poll