POLITIKË /

'Mos kërkoni qiqra në hell', Rama: Gjyqtarët nuk mund të rrisin pagat me 2–3 mijë euro në muaj

Shkruar nga Versus

'Mos kërkoni qiqra në hell', Rama: Gjyqtarët nuk mund

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj kërkesave për rritje të mëtejshme të pagave të gjyqtarëve, duke deklaruar se kjo nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë.

Në podcastin “Flasim”, Rama theksoi se qeveria ka bërë tashmë një sakrificë të madhe financiare në emër të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, por se kjo nuk mund të shndërrohet në një privilegj të pakufizuar.

Sipas Ramës, taksapaguesit shqiptarë kanë pranuar të paguajnë më shumë për gjyqtarët që kalojnë procesin e vettingut dhe përballen me sfidën e ndërtimit të një sistemi të drejtë dhe të pavarur, por kjo nuk nënkupton vendosjen e gjyqtarëve mbi të gjitha kategoritë e tjera të shtetit.

“Ne thyem piramidën e pagave dhe rritëm pagat e gjyqtarëve mbi të gjithë, por nuk i vendosëm mbi të gjithë. Shqipëria nuk do të bëhet vendi ku kasta e gjyqtarëve është mbi çdo gjë tjetër”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se nuk ka asgjë personale në këtë qëndrim, edhe pse, sipas tij, është sulmuar për këtë çështje. Ai theksoi se nuk dëshiron polemikë, por një qasje të drejtë dhe të balancuar në raport me shërbimin ndaj shtetit.

“Gjyqtarët nuk mund ta rrisin pagën e tyre me 2000–3000 euro në muaj. Kjo nuk do të ndodhë, nuk ka për të ndodhur dhe nuk duhet të ndodhë”, deklaroi Rama, duke shprehur shpresën që Gjykata Kushtetuese të vendosë vulën përfundimtare mbi këtë çështje.

Sipas tij, të gjithë shërbëtorët e shtetit, përfshirë edhe gjyqtarët, duhet të kenë sensin e së drejtës dhe të përgjegjësisë, pa kërkuar privilegje të pajustifikuara.

Rama: 

U kemi dhënë atyre mesazhin që taksapaguesit shqiptarë do të bëjnë një sakrificë dhe do të paguajnë ekstra për të gjithë ata që, pasi të kalojnë procesin e vettingut, do të përballen me sfidën e madhe të pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe të ndërtimit të një ngrehine solide, bazuar mbi parimet dhe vlerat e Kushtetutës të atij pushteti, në shërbim të qytetarëve dhe si garant për barazinë para ligjit. Këtë e bëmë duke thyer piramidën e pagave, e cila fillon me Presidentin e Republikës dhe zbret. Ne, ndërkohë, në mënyrën më të vetëdijshme, pagat e gjyqtarëve i rritëm mbi të gjithë, por nuk i vendosëm mbi të gjithë, dhe që Shqipëria të bëhej vendi i vetëm në planet ku të jetë mbi të gjitha kasta e gjyqtarëve. Kjo nuk do të ndodhë dhe nuk ka për të ndodhur, të paktën jo me mua dhe PS. Si një thirrje, si një domosdoshmëri e brendshme e shtetit, që të gjitha kategoritë e shërbëtorëve të tij, përfshirë edhe gjyqtarët, të kenë sensin e së drejtës, duke mos kërkuar qiqra në hell.

Nuk ka asgjë personale, edhe pse jam sulmuar. Nuk dua të bëj polemikë. Dua vetëm të them që gjyqtarët nuk mund të kenë rritje të përhershme mbi të gjithë të tjerët dhe gjyqtarët nuk mund ta rrisin pagën e tyre me 2000–3000 euro në muaj. Kjo nuk mund të ndodhë, nuk ka për të ndodhur dhe nuk duhet të ndodhë. Shpresoj që Gjykata Kushtetuese t’i vërë vulën kësaj/ Versus.al

Tags:

edi rama

Poll