Gjatë një takimi që ka pasur me disa banorë të zonës së ish-uzinës së Autotraktorëve, kryeministri Edi Rama hasi edhe me pakënaqësitë që kishte njëri prej qytetarëve i cili u ngrit dhe foli mbi problemet infrastrukturore të zonës dhe për shkeljen e ligjit nga inspektorët e IKMT që sipas tij kërkonin ryshfet edhe për një kotec pulash.
“Po vuajmë shumë, rrugët gropa gropa, copë copë, po të vish këtu tek rrethi dhe lart mjafton t’i shohësh. Ndoshta jam pak jashtë teme pork am dëshirë me t’i thënë sepse nuk e di a t’i thonë apo jo. Kosto çdo gjë, makinat copë copë. A ka mundësi të na ndihmoni për rrugën se nuk po ju kërkojmë as të na jepni lekë as të na fusni në punë, por rrugën ajo që është më minimumi se nuk rrimë dot duke ndërruar gomat se nuk na bien lekët nga qielli.
Një moment që do të bësh kotec pulash, të vjen IKMT, policia e rendit e me radhë e nuk të vijnë në zbatim të ligjit po të kërkojnë nga 5 mijë e deri 20 mijë euro”- ishin disa prej shqetësimeve të qytetarit.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ishte i ashpër në përgjigjien e tij teksa iu drejtua qytetarit duke i bërë thirrje që të denonconte rastet kur i kërkohet ryshfet. Ndërsa sa i takon infrastrukturës, Rama tha se qytetari mund ta ketë pasur fjalën për ato 5 metra rrugë në ndërtimin pa leje që ka bërë.
“Këtu tek kjo kam një problem shumë të madh me ty. Se këto llafet në hava nuk më pëlqejnë mua. Nëse të vjen dikush e të thotë atë që the, ti duhet ta denoncosh. Ndryshe nuk mundet të funksionojë kjo punë që ti të flaësh këtu në hava dhe t’i ngarkosh të gjithë me përgjegjësi. Por kur thua policia është fjalë shumë e madhe se janë 9 mijë vetë. E para, e dyta zotnia jote ka ndërtuar pa leje këtu apo jo? Po të ishe vetëm ti që ke ndërtuar pa leje, do e kishim zgjidhur këtë punë, por nuk je vetëm.
Që ka rrugë në Tiranë e kudoqoftë nëpër lagje e zona, nuk e diskutoj fare unë. Por sot zotëria jote që banon këtu, je shumë më afër Tiranës ashtu si duhet sepse ke akset kryesore për bukuri që të kanë ardhur tek dera e shtëpisë. Unë e di se ty nuk të duhen se ti për këtë punë ke ardhur në takim. Por jam shumë i lumtur që ke ardhur këtu, sepse kështu bëjmë edhe debat. Ti ke ardhur këtu ke bërë një ndërtim pa leje dhe thua se ato 5 metrat ku ke bërë ti ndërtimin pa leje nuk janë shtruar, por ndërkohë ne kemi shtruar ato akset e tjera”- u shpreh Rama. Versus.al








