Silva Caka e cila ka qenë deputete e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe aktualisht këshilltare e PL në këshillin bashkiak, i ka surprizuar të gjithë për faktin se Rama e emëroi zv.ministre të Brendshme.
Mes të surprizuarve ishin edhe anëtarët e Partisë së Lirisë. Zëdhënësja e ish-presidentit Ilir Meta, Jasmilla Memelli shpërndau një video të vjetër të Cakës në rrjetet sociale ku deklaronte se njerëzit që i janë bashkuar PS-së duke u rekrutuar nga Rama, ishin njëjtë si të kishte gjetur tenxherja kapakun.
“Kur dikush zgjedh të braktisë vlerat e Lirisë dhe Demokracisë për një karrige të pa vlerë në Qeverinë e krimit dhe të korrupsionit, nuk largohet nga Partia e Lirisë, por nga morali, integriteti dhe parimet. Nuk ndalojmë askënd të lëpijë atë që ka pështyrë, apo të pështyjë fytyrën e vet. As të nëpërkëmbë edhe gjakun e familjes të derdhur për vlerat e shenjta të Lirisë. Këto janë zgjedhje personale, që flasin më shumë se çdo fjalë”, shprehet ajo.
Mes të tjerash, Memelli shkruan se Caka u largua nga PL me arsyetimin se do të ndiqte shkollën e Magjistraturës, por shtoi se mesa duket ish-deputetja ka “aplikuar në “Shkollën” e Korrupsionit, Krimit dhe Vesit”.
“Ka mbi një vit që S.C ka dhënë dorëheqjen për të ndjekur gjoja Shkollën e Magjistraturës, që në fakt rezultoi aplikim për në “Shkollën” e Korrupsionit, Krimit dhe Vesit. Partia e Lirisë është më e vendosur se kurrë në mbrojtjen dhe jetësimin e kauzave të saj madhore ekzistenciale kombëtare, për të vazhduar pa kompromis luftën parimore dhe patriotike, krah për krah me opozitarët e vërtetë dhe me të gjithë shqiptarët e ndershëm, për t’i shkurtuar ditët regjimit kriminal të Edi Ramës që ka shpopulluar vendin dhe po rrjep pa mëshirë popullin me korrupsionin skizofrenik”, shkruan Memelli. Versus.al







