Partia Socialiste e Shqipërisë ka festuar 34-vjetorin e themelimit të saj me një mbledhje të posaçme në selinë rozë në Tiranë, ku morën pjesë jo vetëm figura aktuale të kësaj force politike, por edhe personalitete historike si Et’hem Ruka, Gramoz Ruçi dhe Arta Dade.
Në fjalën e tij gjatë aktivitetit, kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vuri theksin te objektivi kryesor i mandatit të katërt qeverisës: anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade. Ai e cilësoi këtë qëllim si një sfidë që kërkon përmirësim të vazhdueshëm të punës dhe përmbushje të standardeve të nevojshme, duke theksuar se kjo është arsyeja më e fortë për të vazhduar përpjekjet drejt modernizimit dhe përparimit të vendit. Rama deklaroi se qeveria e tij nuk lodhet së ngarkuari veten me përgjegjësi dhe me detyrën për të parë çfarë mund të bëhet më mirë, duke nënvizuar se Shqipëria ka marrë një besim të jashtëzakonshëm për ta udhëhequr këtë proces integrimi.
"Nuk lodhemi së ngarkuari veten me përgjegjësi dhe për të parë se çfarë duhet bërë më mirë. Dhe natyrisht shumë gjëra duhen bërë më mirë, kur ky mandat është lidhur me një besim të jashtëzakonshëm për të udhëhequr Shqipërinë në BE brenda kësaj dekade. Nuk ka arsye më të fortë se ky objektiv. Është një objektiv sa i arritshëm edhe tejet i vështirë për t'u arritur. Është një objektiv sa i afërt aq edhe i lidhur me atë çka duhet të përmirësojmë dhe përmbushim çka duhet përmbushur", u shpreh Rama.
Festa përvjetore shërbeu jo vetëm për të kujtuar rrugëtimin e Partisë Socialiste që nga themelimi më 12 qershor 1991, kur në krye të saj u zgjodh Fatos Nano, por edhe për të rikujtuar kontinuitetin dhe transformimin që kjo forcë politike ka pësuar ndër vite, veçanërisht nën drejtimin e Edi Ramës që nga viti 2005. Ky përvjetor shënoi mbi dy dekada që Rama drejton partinë, duke e kthyer në një forcë dominante në skenën politike shqiptare dhe duke e lidhur ngushtësisht fatin e saj me objektivin madhor të integrimit europian./Versus.al/







