Kryeministri Edi Rama ka miratuar sot 3 emërime zëvendës ministresh të cilat do të mbulojnë dikasteret si: Shëndetësia, Energjia e Infrastruktura dhe ministria e Brendshme.
Emri që bëri më shumë bujë ishte Silva Caka si zëvendës ministre e Brendshme, për shkak se më herët ajo ka mbajtur mandatin e deputetes në Lëvizjen Socialiste për Integrim si dhe është këshilltare bashkiake e Partisë së Lirisë. Por mesa duket Caka ka vendosur të braktisë partinë ku ka zhvilluar deri më tani karrierën politike.
Caka do të zëvendësojë në detyrë Andi Mahilën, ish-zv.ministrin i cili u shkarkua disa ditë më parë për shkak se u fotografua në një restorant të Nju Jorkut duke konsumuar cigare në një ambient të mbyllur.
Më tej, në postin e zv.ministres së Infrastukturës dhe Energjisë, është emëruar ish-ministrja e e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali. Ndërkohë, në postin e zëvendës ministres së Shëndetësisë, ka një rikthim të Eugena Tominit, e cila do të zëvendësojë Mira Rakacollin, e liruar nga kjo detyrë në 2021-in. Versus.al







