Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot një takim me prindër dhe mësues në kuadër të konsultimeve për idenë e bërë publike mbi mbylljen e rrjeteve sociale TikTok dhe Snapchat, të cilat sipas tij po ndikojnë shumë keq tek të miturit.
Ai pati edhe një kritikë për prindërit që u japin fëmijëve telefona për të kaluar kohën e lirë, duke thënë se një veprim i tillë është njësoj sikur t’u thuhet të miturve që të dalin me rrugaçin më të madh të lagjes. Sipas Ramës, nuk mjafton vetëm marrja e masave nga institucionet, por duhet që edhe prindërit të angazhohen pasi autoriteti i mësuesve tek nxënësit ka rënë totalisht.
“Një shok i keq që i rri fëmijës në xhep apo në dorë. Se dorëzohen të gjithë prindërit ia lënë në dorë. Por faktikisht i ke thënë dil tani me rrugacin më të madh të lagjes dhe të rri unë rehat. Njësoj si të dalë në rrugë. Ndërtojnë një botë paralele në kokën e tyre që është komplet e ndryshme nga bota reale dhe më pas çdo masë bëhet shumë më pak efektive sepse autoriteti i prindërve dhe mësuesve është shumë i ulët në sytë e tij. Nëse nuk ka një mobilizim të përgjitshëm të të gjithë atyre që janë të vetëdijshëm për këtë, është shumë e vështirë, sepse është si puna e asaj që mbron veten duke i dhënë makinës sipas rregullave, por nëse përballë teje vijnë shofera të dehur, do të bëjnë dëm”- u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se në raste të tilla si i ai i vrasjes së 14 vjeçarit pranë shkollës ku shkonte për mësim, shpesh përdoren për mbajtur pas ekranit sa më shumë persona duke kritikuar edhe mediat. Më tutje shtoi se duhet të ketë një strategji mes prindërve dhe mësuesve për të përballuar këtë “furtunë” të rrjeteve sociale.
“Për ata tjerët që lajnë hesapet, e kam thënë dhe nuk e ndryshoj kurrë mendimin, hëngshin kokat. Por kur ndodh një vrasje si kjo që prek shumë më thellë, është e tmerrshme të shikosh sesi bëhet TikTok i gjithë mjedisi, me burra e gra e me tituj e statuse sociale të caktuara me një masë njerëzish që duan ta zgjasin sa më shumë sepse e dinë që të gjithë janë të interesuar të ndjekin bisedën. Dhe duke prodhuar edhe gjëra që nuk ekzistojnë. Unë them që të gjitha këto, janë të domosdoshme, por kryesorja është nëse nuk ka një Bashkim radhës rreth shkollës dhe nëse nuk ka një sinergji shumë më të fortë mes prindërve dhe mësuesve për të bashkuar forcat që në mënyrë shumë të drejtëpërdrejtë e transparente të ndajnë shqetësimin, është vështirë të përballohet furtuna e rrjeteve sociale”- tha kryeministri.
Pas lajmit të përhapur se tragjedia në shkollën ‘Fan Noli’ kishte ndodhur pas sherrit në rrjetet sociale, Rama doli me një deklaratë ku tha se qeveria po mendon mundësinë e mbylljes së rrjetit social TikTok duke e cilësuar këtë platformë si rrezik të madh për nxitjen e dhunës dhe bullizmit tek të miturit nëpër shkolla. Versus.al