
Kryedemokrati Sali Berisha mbajti fjalën e tij në foltoren e përjavshme që mbahet çdo të hënë përballë godinës së qeverisë. Përpara dhjetëra qytetarëve të pranishëm dhe deputetëve, Berisha tha se protestat janë “kryengritje paqësore” dhe se qëllimi i tij nuk është marrja e pushtetit me dhunë.
Ai pati disa fjalë edhe për Prokurorinë e Posaçme të cilën nisi ta quajë sërish “SKAP-I”. sipas tij, tanimë edhe qytetarët shqiptarë që kanë besuar tek institucioni i posaçëm, zgjidhje kanë vetëm protestën.
“Nuk marrim pushtet me dhunë, besojmë tek vlerat demokratike, tek vullneti i popullit. Këtu buron përcaktimi ynë i kryengritjes paqësore. Kjo kryengritje nuk është ndeshje futbolli, por nuk ka forcë ta ndalë pa shkuar në fitore. Qytetarëve shqiptarë të cilët nuk po ndalen, të them gabimisht apo me të drejtë, besuan tek SKAP-I i partisë dhe siç thonin Pollet që unë nuk i besoj kurrë, 70% besonin tek ky institucion. Ata kanë mirëkutpimin tim, sepse besonin se ky institucion me mbështetjen ndërkombëtare do t’ja dilte të mbronte interesat e tyre. A është ky fundi i shpresës suaj? Jo kurrë, Shpresa jeni ju vetë, të bashkoheni me ne, të largojmë Edi Ramën. Me Edi Ramën nuk ka të ardhme në Shqipëri. Ju që besonit dhe më keni qortuar kur e quaja SKAP-i i partisë, e shihni fatin që pësoi sapo guxoi të ndjekë penalisht Edi Ramën”- u shpreh Berisha mes të tjerash.
Sipas tij, protestat janë e vetmja rrugë për të rrëzuar Ramën i cili së fundmi ka depozituar projektligje për mbrojtjen e ministrave kundrejt drejtësisë.
“Cili është fati i SKAP-it? S’ka patur institucion tjetër më të mbështetur nga ndërkombëtarët në Shqipëri me interes që qytetarët shqiptarë të shpëtoheshin nga krimi i organizuar, vjedhja e zgjedhjeve, korrupsioni e me radhë. A nuk është momenti t’i thërrisni ndërgjegjies dhe të merrni në dorë fatet tuaja, se ato nuk janë në duart e një krimineli që me një të rënë të lapsit e zeron drejtësinë dhe paraqet ligje për mbrojtjen e tij. Na thoni atëherë bashkëqytetarë të dashur, çfarë duhet të bëjmë? Ka vetëm një rrugë, të protestojmë dhe të protestojmë gjer në fitore”- shtoi kryedemokrati. Versus.al

