
Deputetja më e re e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, ka reaguar sërish ndaj kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Në një postim të fundit, ajo i është përgjigjur deklaratave të Bardhit të bëra gjatë një interviste televizive, ku ai tha se nuk kishte synim të kandidonte për kryetar të PD-së, të paktën jo në këtë moment.
Në reagimin e saj me tone ironike dhe thumbuese, Çaushi vë në dyshim sinqeritetin e deklaratës së Bardhit dhe thotë se ai e ka humbur tashmë çdo mundësi për t’u bërë drejtues i partisë.
Ajo e akuzon për dështime të njëpasnjëshme dhe për përçarje të thellë brenda kampit demokrat, ndërsa shton se vetë figura e tij është kthyer në një “fiksim” për Sali Berishën, i cili sipas saj “e kërkon ndihmën time që ta hekuros njëherë Gazi”.
Deputetja e PS-së e mbyll reagimin me një “këshillë” për Bardhin, duke i thënë: “Mos u mërzit, Gazo, pafytyrësia të mban ende në treg”.
''Del Gazi i bukri i dheut që mos e paftë syri i keq, me atë zërin e tij tërë ankth, sikur e ndjekin nga pas gjithmonë nja 100 vetë dhe pasi merren me mua, fiksimin e tij të jetës, lëshon një bombë. Nuk e mendoj të bëhem tani kryetar, nuk është ky qëllimi im, por shohim pas 10 vjetësh.
Ky Gazi është i madh, është fantastik, po ku janë këto 10 vjet se ti ke hyrë në fazën finale. Ti i ke djegur të gjitha jetët si në videolojë. Kjo ishte mundësia jote e fundit dhe e çove.
E dëgjon Saliu Gazin tim dhe tërbohet, thotë me vete si ka mundësi që vazhdon ky faqezi, e ka dhe në plan për kryetar. Ky që e urrejnë të gjithë demokratët kudo ndodhen. Ky që si flet njeri me gojë. Ky që vetëm dëm i ka bërë partisë madhështore.
Mendon saliziu dhe sulet në parlament e më kërkon mua. Ku është Zegjineja thotë?! Ku është ajo që ta hekuros njëherë Gazin. Më kërkon mua, është thirrje për ndihmë ajo që thotë Saliu. Do ndihmë nga unë, se i është bërë Gazi si zombi nëpër filma. Saliu vrit e Gazi ringjallu e flit çudira. Çfarë hallesh kanë këta të PD-së. Raste për studim komplet janë. Gazo mos u mërzit o xhan ti ke parimin, pafytyrësia të mban në treg. Vazhdo siç di ti, faqja sholle”, shprehet Zegjine Çaushi në video.
View this post on Instagram







