POLITIKË /

Paraburgimi i Metës, çështje edhe në parlamentin maqedonas, zv.kryeministri: Po mbahet në burg pa asnjë dosje

Shkruar nga Versus
Paraburgimi i Metës, çështje edhe në parlamentin
Aleksandër Nikolovski dhe Ilir Meta

Mbajtja në paraburgim e ish-presidentit Ilir Meta që prej tetorit të vitit 2024, është komentuar edhe në parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Zv.kryeministri dhe njëkohësisht ministri i Infrastrukturës, Aleksandër Nikolovski mbajti një fjalim në sallë ku kritikoi opozitën e vendit për afrimin me kryeministrin shqiptar Edi Rama të cilin e quajti pasardhës së diktatorit Enver Hoxha. 

“Ti (i drejtohet një deputeti të opozitës) spiunon vetë vendin, por ti nuk spiunon Pogradecin sepse pa dyshim nuk ke forcë të spiunosh atje dhe kundërshton Edi Ramën dhe thua çfarë po bëjnë ata në atë anë. Dhe shkoni te Enver Hoxha i përuleni atij që është paraardhësi i Partisë Socialiste që tani drejtohet nga Edi Rama”, tha numri dy i qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Nikolovski, i cili është një prej figurave më të rëndësishme të VMRO-DPMNE, partia e ish-kryeministrit Nikola Gruevski, është gjithashtu një njeri i afërt i ish-Presidentit Meta, por edhe një aleat besnik i kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

Gjatë fjalimit të mbajtur në Parlament, Nikolovski tha se Ilir Meta po qëndron në paraburgim, megjithëse ndaj tij nuk ka asnjë dosje.

“Ai që është ultra-demokratik, kryetari i mëparshëm i Partisë Socialiste, kryeministër, kryetar i Parlamentit, Ministër i Punëve të Jashtme dhe President i shtetit, së pari e rrahu dhe pastaj e la në paraburgim. Nuk ka dosje, ama e ka mbajtur në paraburgim për dy vjet. A e dhuroni një person të tillë, dhe një person i tillë është miku juaj?”, vijoi më tej zv.kryeministri Nikolovski.

Edhe më herët, ish-Presidenti Ilir Meta ka marrë disa herë mesazhe mbështetje nga funksionarë të lartë të VMRO-DPMNE-së dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut ka bërë thirrje për të votuar partinë e ish-kryeministrit Gruevski. Versus.al

Poll