POLITIKË /

“Parlamenti Europian e ndau shapin nga sheqeri”, Rama reagon pas votimit të raportit për Shqipërinë dhe amendamentit për Zvërnecin

Kreu i qeverisë hodhi poshtë pretendimet e ngritura nga kundërshtarët e projektit dhe protestuesit për projektin turistik në Zvërnec

Shkruar nga Versus

“Parlamenti Europian e ndau shapin nga sheqeri”, Rama reagon pas

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit të raportit për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, duke e lidhur debatin me dezinformimin dhe duke mbrojtur qëndrimet për zhvillimin e zonave të diskutueshme dhe duke kritikuar sërish protestën.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi amendamentin 4, i cili u rrëzua nga eurodeputetët, dhe amendamentin 17, i cili u miratua si pjesë e raportit për Shqipërinë.

Rama shkruan se "Parlamenti Europian ndau faktet nga ajo që ai e cilësoi si “stuhi dixhitale dizinformimi” lidhur me projektin që ka nxitur protesta javët e fundit".

“Edhe Parlamenti Europian e ndau ‘shapin’ e stuhisë digjitale të dizinformimit nga ‘sheqeri’ i zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të rezolutës për Shqipërinë”, shkroi Rama.

Në reagimin e tij, Rama tha se votimi në Parlamentin Europian është një vlerësim për Shqipërinë dhe procesin e integrimit europian.

“Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamengove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamengove”, shkroi ai.

Kryeministri shtoi se Vjosë-Narta dhe flamingot do të mbrohen, ndërsa zhvillimi në Zvërnec do të bazohet në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian.

“Në çdo rast flamengot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet,  Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Europës së Bashkuar”, u shpreh Rama.

Parlamenti Europian miratoi të mërkurën rezolutën për Shqipërinë. Në rezolutë vlerësohet angazhimi i Shqipërisë në integrimin në BE dhe ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat e pranimit deri në fund të vitit 2027.

Në raport theksohet “shqetësimi për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin politik konfrontues, të cilat dëmtojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin publik dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratik”.Versus.al

Poll