POLITIKË /

Progres-raporti për Shqipërinë, ja çfarë u miratua në PE lidhur me amendamentet mbi Zvërnecin dhe Sazanin

Eurodeputetët nuk mbështetën amendamentin alternativ, i cili përmbante referenca shumë më specifike lidhur me projekte konkrete dhe zhvillime të fundit në Shqipëri

Shkruar nga Versus

Progres-raporti për Shqipërinë, ja çfarë u miratua

Parlamenti Europian miratoi këtë të mërkurë raportin për Shqipërinë, duke mbështetur një amendament që shpreh shqetësime për ndikimin e ligjit të investimeve strategjike dhe ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, por duke rrëzuar një version më të ashpër që përfshinte referenca të drejtpërdrejta për projektin turistik në Sazan dhe zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.

Amendamenti i miratuar nga eurodeputetët, i cili u publikua edhe nga kryeministri Edi Rama në Facebook, thotë:

“46a. Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet në vazhdim brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që ato sjellin për zonat me vlerë të njohur ekologjike; ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të pajisjes me leje, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me një kërkesë të kahershme të Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian, si dhe me objektivat përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të garantohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; thekson se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.”

Në të njëjtën kohë, teksti i miratuar kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, pasi sipas Parlamentit Europian ato lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca të rëndësishme vendimmarrëse te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar mbikëqyrjen dhe kontrollin mjedisor.

Megjithatë, eurodeputetët nuk mbështetën amendamentin alternativ, i cili përmbante referenca shumë më specifike lidhur me projekte konkrete dhe zhvillime të fundit në Shqipëri.

Amendamenti i rrëzuar, përveç kritikave ndaj ligjit të investimeve strategjike dhe ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, shprehte shqetësim edhe për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë e Jared Kushner, Affinity Partners, për zhvillimin e një projekti turistik luksoz në ishullin e Sazanit dhe në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.

Teksti i rrëzuar:

“Shpreh keqardhje të thellë për faktin se Ligji i vitit 2015 i Shqipërisë për Investimet Strategjike është zgjatur, duke pasur parasysh dispozitat e tij që mundësojnë procedura të përshpejtuara të lejeve dhe shqyrtim të reduktuar mjedisor, të cilat rrezikojnë të ndikojnë negativisht në zonat e mbrojtura dhe zona të tjera të ndjeshme mjedisore; bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetencat kryesore të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore; shpreh shqetësime, pra, në lidhje me marrëveshjen e qeverisë me kompaninë e Jared Kushner, Affinity Partners, për të zhvilluar një projekt turistik luksoz në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosës-Nartës; bën thirrje për mbështetje për hetimin antikorrupsion që aktualisht drejtohet nga SPAK në këtë kontekst; bën thirrje që e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore të garantohet kundër shtypjes nga kompanitë private të sigurisë, si gjatë përplasjeve që ndodhën në fund të majit 2026.”

Po ashtu, teksti i rrëzuar bënte thirrje për mbështetje për hetimin antikorrupsion që po zhvillohet nga SPAK, si dhe kërkonte garantimin e së drejtës për protestë paqësore, duke iu referuar përplasjeve të ndodhura në fund të majit 2026 mes protestuesve dhe kompanive private të sigurisë.Versus.al

Poll