POLITIKË /

PD në kërkim të një 'pulsi' të ri: status quo apo frymë e re?

Pas humbjes dërrmuese të 11 majit, Partia Demokratike ndodhet në një fazë qetësie. Zyrtarisht, pritet certifikimi i rezultatit dhe një përgjigje nga SHBA për Berishën.

Shkruar nga Versus

PD në kërkim të një 'pulsi' të ri: status quo

Pas humbjes dërrmuese të 11 majit, Partia Demokratike ndodhet në një fazë qetësie. Zyrtarisht, pritet certifikimi i rezultatit dhe një përgjigje nga SHBA për Berishën. Jozyrtarisht, kjo është një pritje që ngjan me një komë politike – një vakum mes fundin e një epoke dhe dilemës nëse do të lindë diçka e re apo do të mbijetojë status quo-ja.

Megjithëse klanet janë ndarë – Basha ka mbetur me logon, Alibeaj me një strukturë të re – zjarri brenda siglës zyrtare të PD-së nuk është shuar. Kërkesa për largimin e Berishës nuk vjen më vetëm nga kundërshtarët, por edhe nga miqtë e vjetër. Madje edhe Ilir Vrenozi, një tifoz i dikurshëm i doktorit, i ka kërkuar publikisht t’i japë fund kalvarit të pafund politik.

Në këtë terren ka nisur të qarkullojë një emër që duket se sjell freski pa këputur lidhjet me të shkuarën: Ilir Alimehmeti. Një figurë e pastër, pa skandale, me një profil qytetar që po përflitet si “shpresa e re e demokratëve”. Për disa është shpërblim për kandidaturën e tij korrekte në zgjedhjet e shkuara; për të tjerë, një mënyrë elegante për të ruajtur influencën e Berishës përmes “trashëgimisë mjekësore”.

Një doktor e solli PD-në këtu ku është. Një tjetër po përpiqet ta shpëtojë. Kjo është narrative e re që po gatuhet në korridoret e PD-së.

Zëdhënësi i fushatës, Andi Mustafaj, përmes një reagimi të gjatë në rrjete sociale, kërkoi hapur që Alimehmeti të marrë drejtimin e partisë. Sipas tij, nuk ka më vend për përkëdhelje egoje apo ruajtje balancash artificiale. Ai fton mjekun të përgatitet për garën e ardhshme për Bashkinë e Tiranës – si një hap i natyrshëm në “dinamikën e angazhimit të tij politik”.

Në të njëjtën linjë i janë bashkuar zëra të tjerë që kërkojën largimin e Berishës nga drejtimi i partisë. Berisha vetë, i pyetur për Alimehmetin, ka zgjedhur fjalët e duhura për të mos thënë shumë: e quajti “aset të çmuar të opozitës”.

Një tjetër figurë që ngjall shpresën e një fryme të re, është edhe Belind Këlliçi. Një figurë qendërstare brenda selisë blu, zë i fortë për protestat e Teatrit, tragjedinë e Ardit Gjoklajt, inceneratorë e me radhë. Ish kreu i FRPD-së mund të jetë po ashtu një frymë e re për t’i shpëtuar status-quosë.

Por në këtë PD në dilemë mes të shkuarës dhe të panjohurës, pyetja mbetet: a është koha për një “transfuzion” politik? Versus.al

Poll