POLITIKË /

PE rrëzon amendamentin për Sazanin dhe Zvërnecin, Rama: Ose është çmendur Europa, ose ka diçka që nuk shkon me protestuesit

Kreu i qeverisë hodhi poshtë pretendimet e ngritura nga kundërshtarët e projektit dhe protestuesit për projektin turistik në Zvërnec

Shkruar nga Versus

PE rrëzon amendamentin për Sazanin dhe Zvërnecin, Rama: Ose

Parlamenti Europian ka rrëzuar amendamentin që lidhej me zhvillimet në zonat e Sazanit dhe Zvërnecit, duke miratuar me shumicë dërrmuese rezolutën për Shqipërinë pa përfshirjen e këtij ndryshimi.

Pas votimit, kryeministri Edi Rama reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e konsideroi vendimin si një konfirmim të qëndrimit të qeverisë lidhur me debatet e fundit për zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë dhe projektet e zhvillimit në Zvërnec.

Sipas Ramës, Parlamenti Europian ka ndarë faktet nga, sipas tij, “stuhia e dezinformimit” që ka shoqëruar protestat e javëve të fundit.

“Ja edhe Parlamenti Europian e ndau ‘shapin’ e stuhisë digjitale të dizinformimit nga ‘sheqeri’ i zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të Rezolutës për Shqipërinë”, shkroi Rama.

Kreu i qeverisë hodhi poshtë pretendimet e ngritura nga kundërshtarët e projektit dhe protestuesit, duke deklaruar se ose Europa është “çmendur dhe korruptuar”, ose ka diçka që nuk shkon me ata që, sipas tij, e nisën protestën në emër të mbrojtjes së mjedisit.

“Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamingove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamingove”, u shpreh Rama.Versus.al

Poll