
Gazment Haxhia, bashkëpunëtori i ish-ministrit Ilir Beqaj në dosjen e abuzimit me fondet e BE-së, është lënë në masën e sigurisë "detyrim paraqitje" gjatë seancës të zhvilluar sot në GJKKO.
Haxhia rezulton të jetë personi që ka fituar tenderin e ministrisë së Turizmit dhe SASPAC për të njëjtin organizim. Haxhia u arrestua ditë më parë sapo kishte mbërritur në Rinas, pasi ndodhej jashtë vendit. Ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Ndërsa mësohet se ai është një prej aksionerëve në hotelin me 5 yje në Durrës që u sekuestrua nga SPAK.
Sipas hetimeve në dosjen e SPAK, EUSAIR, që ishte programi ku koordinator ishte Ermal Kurtulaj ka pranuar një faturë nga shoqëria tregtare “Landways international” për 149 800 euro. Administrator i kësaj kompanie rezulton Gazmend Haxhia. Më tej, duke ndjekur transaksionet e kësaj kompanie, SPAK-ut i ka rezultuar se kjo kompani ka bërë pagesa ndaj restorantit G’Zona (pronë e fshehur e Beqajt) nëpërmjet katër faturave në vlerën e 44 mijë eurove.
Gjatë seancës maratonë të zhvilluar të shtunën, Beqaj dhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Ermal Kurtulaj u lanë në burg pavarësisht ofertës së tyre për lënien e një garancie pasurore në këmbim të lirimit nga qelia. Beqaj akuzohet për korrupsion pasiv, mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë, mashtrimit dhe shkeljes së barazisë në tender. Rezulton se Beqaj në mënyrë të jashtëligjshme ka paracaktuar fituesit në të paktën 8 procedura të tenderimit. Gjatë seancës në GJKKO ai mohoi akuzat ndaj tij, ndërsa avokati Ermal Yzeiraj akuzoi SPAK-un se e kishte këtë një çështje personale me Beqajn për të justifikuar dështimet me çështjet e tjera hetimore. Versus.al








