
Aktori dhe humoristi i njohur Florjan Binaj ka reaguar sot me një postim të fortë dhe ironik në rrjetet sociale ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si “aktorin më të madh në Shqipëri”.
Në postimin e tij në Instagram, Binaj shkruan:
“Aktori më i madh në Shqipëri është Edi Rama, që u merr 140 milionë euro qytetarëve duke ‘i bindur’ se po bën incenerator pa vënë asnjë tullë! Prestigjator!”
Ky reagim vjen pas deklaratave të Ramës në episodin më të fundit të podcastit të tij “Flasim”, ku komentoi zhvillimet politike pas shkarkimit të Erion Veliajt dhe shpalli mbështetjen për Ogerta Manastirliun si kandidate të Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës.
View this post on Instagram
Gjatë fjalës së tij, kryeministri nuk la pa përmendur edhe Binajn, duke e cilësuar si “një aktor humori në rolin e një kandidati gjoja të pavarur”:
“Këneta është kaq e dëshpëruar, sa për Tiranën ka nxjerrë një aktor humori në rolin e një kandidati gjoja të pavarur, që për vite të tëra i ka bërë për të qeshur të gjithë, madje edhe vetë Kongresin e Partisë Socialiste, ku ka ardhur njëherë për të luajtur rolin tim. Prandaj, nuk e gjykoj fare keq aktorin për rolin e ri që ka marrë, se aktorët këtë punë kanë, me role jetojnë,” tha Rama.
Reagimi ironik i Binajt ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale dhe po shton tensionin politik mes tij dhe kryeministrit, ndërsa fushata për Bashkinë e Tiranës po merr ritëm të plotë.
View this post on Instagram

