
Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp me ambasadorin e Bashkimit Evropian në kuadër të ditës së Evropës, foli për ecurinë e procesit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ai tha se pretendimet e opozitës për ngecjen e procesit nuk janë të vërteta.
Ndërsa i pyetur nga gazetarja për garancitë e qeverisë për anëtarësimin e vendit në BE duke qenë se kjo ishte kryetema e fushatës elektorale për 11 majin, Rama tha se nuk ka garanci të caktuar se vendi do të anëtarësohet në BE.
“E përsëris, sot nuk negocion Shqipëria me BE, por diskuton Komisioni Evropian me shtetet anëtare. Komisioni përfaqëson shtetet në negociatat me Shqipërinë dhe pastaj kur komisioni i konsideron të kryera detyrat e një faze shkon tek shtetet për të paraqitur raportin e vetë. Të thuash këtu u bllokua nga X apo Y është të shesësh ajër. Dhe kush beson se ajri blihet, e blen. Por ky proces ka një nevojë të veçantë për ju njerëzit që jeni në mes të këtij procesi për ta kuptuar sesi funksionon.
Garancitë, është njësoj si të thuash se çfarë garancish ke që do ta fitosh luftën. Lufta fitohet duke luftuar, ndeshja fitohet duke u stërvitur. Nuk ka garanci të shkruar që unë do ja dal që në 5 vjet të marr diplomën e universitetit pavarësisht sesa përpiqem për ta marrë. Ne e kemi të shkruar, nuk është e imagjinuar, nuk është e shkruar nga ne. Për ne është e rëndësishme çfarë thotë KE sepse KE shikon procesin në mënyrë teknike dhe objektive. Ne e kemi me komisionin, kur ata thonë i ka plotësuar, për ne detyra është kryer dhe presim të vazhdojmë në fazën tjetër”- deklaroi Rama. Versus.al

