
'Shqipëria, vendi pritës i Kongresit Botëror të Ligjit në 2027' është shprehur kryeministri Edi Rama ditën e sotme në një video të publikuar në rrjete sociale.
Kjo ngjarje prestigjioze do të mbahe në Tiranë, dhe sipas kreut të qeverisë e vendos Shqipërinë në hartën globale të së drejtës dhe të drejtësisë.
Përmes një mesazhi video në faqen e tij në Facebook, Rama njoftoi se është nisur drejt Madridit për të marrë pjesë në ceremoniën zyrtare të njoftimit të kandidaturës së Shqipërisë. Gjatë kësaj vizite, ai do të takohet edhe me Mbretin Felipe VI të Spanjës, duke theksuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje për vendin tonë.
Kryeministri theksoi se procesi i përzgjedhjes ka qenë i vështirë dhe shumë konkurrues, por Shqipëria doli fituese falë përpjekjeve të saj për reformën në sistemin e drejtësisë. Ai lexoi një letër nga presidenti i Shoqatës Botërore të Juristëve, Javier Cremades, në të cilën shprehej mirënjohja dhe njohja për përparimet e bëra nga Shqipëria në fushën e së drejtës dhe demokracisë.
Rama e vlerësoi këtë përzgjedhje si një "trofe" për vendin tonë, duke theksuar se ajo pasqyron konsideratën dhe respektin ndërkombëtar që Shqipëria ka fituar falë reformave të thella në sistemin e drejtësisë.
Rama: Procesi i përzgjedhjes ka qenë i ngushtë dhe konkurrues. Shqipëria ka marrë pjesë me kandidatë të fortë dhe historikisht demokratik nga kontinentet e ndryshme. Kështu shkruhet në letrën e presidentit të shoqatës botërore të turistëve. Duke zgjedhur Shqipërinë si vendin pritës të Kongresit Botëror të Ligjit 2027, komuniteti ndërkombëtar i ligjit dëshiron të njohë demokracinë e saj të re dhe institucionet e themeluara mbi sundimin ligjit si garanci për dinjitetin njerëzor, vijon ai.
Kongresi do jetë mundësi e shkëlqyer e vendit tuaj për t’i paraqitur botës përparimet e mëdha drejt një demokracie të fortë dhe respektin ndaj sundimit të ligjit.
Për pak ne nisemi në Madrid për njoftimin publik për përzgjedhjen e kandidaturës së Shqipërisë për të mirëpritur Kongresin Botëror të Ligjit. Në këtë kongres prezantohet edhe çmimi i Paqes dhe Lirisë Botërore, i ngjashëm me atë të Nobelit.
Shqipëria 2027 do jetë vendi i samitit të NATO-s, i Europianit të Futbollit për të rinjtë dhe tani edhe i Kongresit Botëror të Ligjit. Ç’të them? Kush i imagjinonte këto deri sa vite më parë? Lum si ne thuaj që kemi këto ‘kuak kuak’ se do na kishin marrë më sysh disa herë.
Kongresi është edhe një trofe i Shqipërisë në formën e konsideratës së lartë që ka krijuar vendi ynë falë reformës së drejtësisë. Versus.al







