Reperi i njohur shqiptar, Noizy, do të mbajë një tjetër koncert me përmasa ndërkombëtare në kryeqytet, kësaj here në një nga hapësirat më ikonike të Tiranës — Parkun e Madh të Liqenit Artificial. Aktiviteti, që zhvillohet në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, është planifikuar për datën 31 maj dhe është fokusuar në skenën e muzikës elektronike.
Sipas dokumenteve zyrtare, Bashkia e Tiranës ka miratuar përdorimin e një sipërfaqeje prej 42,934 metrash katrorë në zonën e Parkut për qëllimet organizative të koncertit. Montimi i strukturave për ngritjen e skenës pritet të nisë më 15 maj, ndërsa çmontimi do të përfundojë më 1 qershor, duke përfshirë gjithë periudhën e përgatitjeve teknike dhe logjistike.
Ky nuk është rasti i parë që Noizy organizon shfaqje të mëdha në Tiranë. Kujtojmë se artisti ka mbajtur dy koncerte të mëparshme në qendër të qytetit, të cilat tërhoqën mijëra të rinj. Ndërkohë, daljet e tij publike kanë qenë më të shpeshta kohët e fundit, veçanërisht gjatë fushatës elektorale, ku Noizy u pa shpesh përkrah kryeministrit Edi Rama, duke qenë gjithashtu dhe zëri i këngës zyrtare të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit. /Versus.al/







