
Anëtari i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, Ledio Braho ka folur për mediat lidhur me procesin e rinumërimit të votave në qarkun e Tiranës ku dy partitë e mëdha, kanë rezultuar me humbjen e disa votave.
Ai tha se deri më tani bëhet fjalë për gabime njerëzore, por shtoi se nëse nga i njëjti grup numërimi vihet re se ka një lëvizje të vazhdueshme të votave që u ulen partive të mëdha, atëherë do të ketë dyshime për tjetërsime të qëllimshme të votave.
“Sa i përket Tiranës kishte të bënte me transparencën dhe pretendimet e disa kandidatëve për tjetërsim të votave. Janë numëruar më pak se 10% e kutive, dy partitë e mëdha kanë humbur vota në këtë proces. Po ashtu disa prej kandidatëve kanë patur rënie të votave të pamerituara.
Deri tani, ato nuk mund t’i quash as gabime, por subjektivitet i vlerësimit të numëruesve. Nëse në vijim do të shohim tjetërsime votash që janë masive nga i njëjti grup numërimi pastaj nuk flasim dot për gabime njerëzore, por të qëllimshme”- u shpreh Braho. Versus.al







