POLITIKË /

PS zyrtarizion kandidatët për zgjedhjet në 5 bashkitë e tjera, deputetja kandidon për Vlorën

Pas besimit ndaj Ogerta Manastirliut për të kandididuar për bashkinë e Tiranës, PS ka zgjedhur një tjetër kandidate femër për të kandiduar në Vlorë.

Shkruar nga Versus
PS zyrtarizion kandidatët për zgjedhjet në 5 bashkitë e
Drejtuesit politikë pas mbledhjes së kryesisë së PS

Partia Socialiste tashmë e ka plotësuar gjashtëshen e kandidatëve që do të garojnë për kryebashkiakë në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 9 nëntor në 6 bashki të vendit.

Në Tiranë prej javësh ka konfirmuar kandidaturën e Ogerta Manastirliut. Ndërsa sot pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së PS, ministrat Mirela Kumbaro dhe Ervin Demo së bashku me drejtuesit politik të Vlorës, Dibrës dhe Elbasanit njoftuan emrat zyrtarë që do të kandidojnë në zgjedhjet e pjesshme.

Surprizë ishte emri i Brunilda Mersinit si kandidate për bashkinë e Vlorës. Aktualisht Mesini mban mandatin e deputetes së Partisë Socialiste që prej zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Ndërkohë kandidatët e tjerë janë si në vijim: Gramoz Sako për bashkinë e Tepelenës, Altin Bojni për bashkinë e Matit, Ervin Ceca për Beratin dhe Florenc Doka për bashkinë e Cërrikut.

Kujtojmë se në 4 prej bashkive pati dorëheqje të kryebashkiakëve me urdhër të Ramës pasi u bënë deputetë të PS, ndërsa kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha u dorëhoq pas situatës në bashkinë e Vlorës. Tirana mbeti pa kryetar që prej 10 shkurtit të këtij viti kur agjentët e BKH arrestuan në zyrë Erion Veliajn.

Kryeministri Edi Rama teksa ka folur më herët për pritshmëritë e tij lidhur me zgjedhjet, ka shprehur bindjen për një ‘’hakmarrje’’ nga ana e patronazhistëve dhe rezultat edhe më të thellë në bashkitë ku do të ketë zgjedhje. Deri më tani, rivalët e opozitës, kanë konfirmuar vetëm mbështetjen për Florjan Binajn si kandidat të pavarur për bashkinë e Tiranës. Versus.al

Poll