Zgjedhja e Niko Peleshit në krye të Kuvendit të Shqipërisë ka shkaktuar reagime të forta nga opozita, veçanërisht nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Në një deklaratë për mediat pas votimit, Berisha e quajti Kuvendin "parlamenti i karteleve", duke akuzuar se në përbërjen e tij janë të pranishëm përfaqësues të grupeve kriminale dhe duke ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj Peleshit për korrupsion.
“Ky është parlamenti i karteleve. Në parlamentin e ri më të përfaqësuarit janë kartelet e drogës më të fuqishme në Europë. U shkelën parimet kushtetuese,” – u shpreh Berisha.
Sipas tij, mbi Peleshin rëndojnë pesë dosje të korrupsionit, përfshirë edhe çështje që lidhen me abuzime me prona në zonën e Kolonjës, gjatë kohës kur ai ka mbajtur postin e ministrit të Bujqësisë.
“Niko Peleshi është me 5 dosje korrupsioni. Është i akuzuar për prona në Kolonjë dhe zona të tjera. Ai është një qenie amorfe. Në vend që të shkojë në burg, merr drejtimin e Kuvendit,” – vijoi Berisha.
Më tej, kreu i PD-së akuzoi Peleshin se ka bashkëpunuar me Kryeministrin Rama në veprime të paligjshme, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si një "narko-qeveri".
“Nuk kemi të bëjmë me një qeveri normale, por me një narko-qeveri. Niko Peleshi ka vjedhur bashkë me Ramën,” – përfundoi Berisha.







