Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në firmosjen e marrëveshjes për partneritet mes ekselencës izraelite “Sheba Medical Center” dhe QSUT ditën e sotme.
Ekspertët izraelitë, do të kryejnë ndërhyrjet për sëmundjet e rënda tek fëmijët duke ofruar edhe një lloj specializimi për stafin e spitalit të Onkologjikut që u përfshi muaj më parë nga një skandal i rëndë ku pacientët me kancer nuk trajtoheshin.
Gjatë fjalës së tij Rama ironizoi edhe përplasjet mes stafit të Onkologjikut lidhur me mesazhet e publikuara mes tyre sa i takon mungesës së ilaçeve dhe tha se marrëveshja me ekselencën izraelite është një mundësi për ta çuar nivelin e tyre të specializimit në një stad tjetër.
“E dimë shumë mirë, nuk është vetëm çështje e QSUT apo e Shqipërisë që ka raste që mund të bëhen vetëm në pak vende të Evropës apo botës. Këto ndërhyrje të ndërlikuara do bëhen edhe me përfshirjen e mjekëve të QSUT që do jenë aty për të parë dhe për t’u rritur në aspektin profesional. Me këtë partneritet dhe nëse ne të gjithë së bashku do i dedikohemi këtij partneriteti, dhe mundësia e artë për kopshtin pa drekë të stafit të onkologjikut që të lërë mënjanë ato emocionet fëminore kush jam unë e kush je ti dhe të angazhohet profesionalisht. Sepse të gjithë janë profesionistë që nuk i vë në dyshim, por një skuadër e cila siç doli në pah hyri në një përçartje vërtet shumë shqetësuese. E them këtë sepse është shumë e rëndësishme që të gjithë t’i dedikohen këtij projekti”- tha Rama.
Ai shtoi se nga kjo marrëveshje, pala izraelite nuk ka asnjë përfitim monetar dhe se gjithçka po e bënin për të kthyer atë që e konsiderojnë si “borxh moral” ndaj shqiptarëve që ndihmuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Miqtë nga Izraeli, nuk kanë asnjë interes, nuk janë këtu për të fituar para apo ndonjë favor tjetër, por vetëm për të na mbështetur. Janë këtu për t’i kthyer mbrapsht popullit shqiptar një borxh moral për atë që bëmë për hebrenjtë gjatë luftës së dytë botërore. Kjo mund të tingëllojë shumë e bukur për të qenë e vërtetë tek shumëkush që nuk e njeh popullin hebre”- shtoi kryeministri. Versus.al







