Qeveria shqiptare ka shpallur synimin për të transformuar plotësisht sistemin financiar të vendit, duke kaluar në një ekonomi ku të gjitha transaksionet kryhen në mënyrë dixhitale. Objektivi është që deri në fund të kësaj dekade, përdorimi i parasë fizike (cash) të eliminohet.
Gjatë një takimi në qytetin e Beratit me përfaqësues të sektorit të teknologjisë, Kryeministri Edi Rama theksoi se për këtë transformim është i domosdoshëm një angazhim i gjerë dhe sensibilizim publik.
“Në fund të kësaj dekade, Shqipëria të jetë vetëm me transaksione dixhitale. Na duhet një sforco e madhe dhe një sensibilizim i thellë për ta arritur këtë. Teknologjia nuk mungon. Nëse dimë të vizatojmë siç duhet rrugën, kjo është e realizueshme. Do të çlirojë vendin nga një barrë e madhe pluhuri dhe ferrash në jetën e përditshme,” u shpreh Kryeministri Rama.
Ai theksoi se dixhitalizimi i plotë i pagesave do të ndihmojë në rritjen e transparencës, uljen e informalitetit dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset. /Versus.al/







