Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar sektorin e ndërtimit si një nga shtyllat kryesore që, sipas tij, ka sjellë transformimin e Shqipërisë gjatë viteve të fundit. Gjatë një takimi ku u prezantua një projekt i ri zhvillimi, Rama reagoi ndaj kritikave që lidhen me këtë sektor, duke i cilësuar “të papranueshme” përpjekjet për ta lidhur ndërtimin me kriminalitetin.
Ai u shpreh se, ndonëse në çdo sektor mund të ketë probleme, ato nuk mund të përgjithësohen për të gjithë industrinë, duke theksuar se “shumica dërrmuese e investitorëve” nuk duhet të vendosen, sipas tij, në të njëjtin grup me rastet e veçanta që përbëjnë shkelje ligjore.
Rama shtoi se ndërtimet në vend janë një faktor i rëndësishëm zhvillimi ekonomik dhe urban, ndërsa nënvizoi se në shumë raste këto projekte sjellin përfitime direkte për komunitetin, si infrastrukturë sociale dhe publike.
Sipas tij, një projekt konkret në kryeqytet ka sjellë deri tani rreth 14 milionë euro të ardhura nga taksat për Bashkinë e Tiranës, ndërsa në fazën e realizimit pritet të përfshijë edhe ndërtimin e një çerdheje, kopshti dhe potencialisht një shkolle, si pjesë e detyrimeve të investitorit në këmbim të truallit të dhënë për zhvillim.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Rama: As nuk e vë në dyshim, që edhe në sektorin e ndërtimit si në çdo sektor tjetër, si në çdo vend tjetër që na bëjnë neve leksion ka probleme. Këtu tek ne janë më të mprehta sesa në vendet e tjera. Që këtë sukses evident të Shqipërisë, që sektori i ndërtimit e bën të dukshëm ta fusim në kornizën e krimit, është e neveritshme dhe e papranueshme. Ka shumë arsye pse Shqipëria bën ndërtime dhe ti lexojnë ata që duan. Është e pamundur të pranojmë që shumica dërmuese e atyre që investojnë të futen në thesin e baltës për disa që mund të jenë ashtu siç thuhet. Bashkia e Tiranës ka marrë 14 mln euro taksë vetëm nga ky projekt, nga ky projekt kur të bëhet realitet, komuniteti do fitojë çerdhen, kopshtin dhe ndërkohë bashkia mund të fitojë edhe një shkollë, sepse angazhimi i investitorit është të ndërtojë edhe shkollën në momentin që do t’i jepet trualli për ta ndërtuar./Versus.al

