
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbledhur Asamblenë e PS në Elbasan, ku ka folur për procesin e integrimit europian dhe sfidat që, sipas tij, e presin vendin në vitet e ardhshme.
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë më afër realizimit të “ëndrrës historike” për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por theksoi se faza e fundit e procesit do të jetë edhe më e vështira.
Sipas kreut të qeverisë, 3-4 vitet e ardhshme do të kërkojnë përputhjen e plotë të institucioneve shqiptare me standardet dhe legjislacionin e BE-së, duke kërkuar më shumë përgjegjësi dhe angazhim nga strukturat socialiste.
“Ky takim është në vazhdën e nevojës për bashkëbisedim mbi tema me rëndësi për momentin ku po kalon Shqipëria. Nuk kemi qenë kurrë kaq afër realizimit të një ëndrre historike. Duhet të jemi të vetëdijshëm që hapat e fundit të 3-4 viteve që kemi përpara, janë edhe më të vështirat, sepse është faza kur duet të përputhim të gjithë organizmin tonë shtetëror me atë të BE, në aspektin jo vetëm të ligjeve por edhe standardeve. Vetëdija na duhet që ta ndjejmë së bashku përgjegjësinë. PS familja jonë politike duhet të përballet pa e humbur kthjelltësinë dhe motivimin për të shkuar më shpejt përpara me një tërësi forcash e faktorësh që janë tërësisht kundër nesh. Forca e faktorë politikë, mediatikë, socialë në sensin e pranisë në rrjetet sociale që prodhojnë e shpërndajnë në mënyrë marramendës e gënjeshtra e gjysmë të vërteta, akuza, lajme që edhe kur nuk janë të pavërtetë vendosen në një proporcion të zhdrejtë me realitetin”, tha ai.
Rama u ndal edhe te klima politike dhe mediatike në vend, duke deklaruar se Partia Socialiste po përballet me “forca dhe faktorë politikë, mediatikë e socialë” që, sipas tij, përhapin lajme të pavërteta, gjysmë të vërteta dhe akuza për të penguar reformat dhe qeverinë.
Ai hodhi poshtë edhe pretendimet e opozitës se media kontrollohet nga qeveria, duke i cilësuar këto akuza si të pavërteta.

