Kryeministri Edi Rama teksa po fliste për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian disa të rinj i tërhoqën vëmendjen, që mesa duket nuk po e dëgjonin kreun e qeverisë.
Ai i ftoi në podium dhe djalin e pyeti se “pse PS i duhet një mandatë i katërt për të futur Shqipërinë në BE, kur këtë gjë nuk e bëri për gjithë këto vite?”. I riu u përgjigj duke thënë se “nuk kemi ku ti mbajmë shpresat përveçse te ju”.
Më pas kryeministri pyeti vajzën, por ajo tha “nuk e di”. “Ti nuk e di se nuk të la ky, apo ti nuk doje ta dije se doje të dëgjoje këtë. Si është kjo punë?”, i tha Rama. Gjatë një takimi me të rinjtë e Tiranës që votojnë për herë të parë, Rama tha se 11 maji është një takim me historinë, pasi kjo është një mundësi që i jepet Shqipërisë për në BE, pasi sic tha ai dera nuk do të jetë e hapur përgjithmonë.
“Më 11 maj është rikthyer mundësia në duart e shqiptarëve për të bërë histori në ditën e votimit. Duke qenë se ju jeni votues të parë dhe jeni në një moshë kur sapo bëheni gati për të dalë në rrugën e jetës, të pavarur nga familja, rruga juaj është e lidhur me Evropën. Për këtë arsye ju dhe përmes jush ne, të informojmë sa më shumë bashkëmoshatarë, votues për herë të parë se pse është kështu sic unë thashë. Pse zgjedhjet e 11 majit nuk janë për një parti dhe jo për një parti tjetër dhe pse nga ajo që do ndodhë në 11 maj varet ca do ndodhë me Shqipërinë dhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE. Sepse BE është shtëpi e madhe, e pasur, por nuk është një shtëpi që e mban derën hapur gjithmonë. BE është një shtëpi që dera hapet dhe mbyllet. Hapet në një moment të caktuar për të ftuar dike apo disa dhe mbyllet për disa kohë. I tillë është ky proces. Sot janë 27 vende që vendosin të gjitha së bashku. Duhet të bien dakord të 27 vendet për të hapur derën. Ti mund të jesh gati, mund të kesh një dëshirë shumë të madhe, mund ti biesh asaj dere pa pushim, por nuk hapet. Dera hapet kur ata janë gati, dhe janë të interesuar pa aq sa ti", u shpreh Kryeministri.








