Ish-kryebashkiaku socialist i Kavajës, Elvis Roshi është pozicionuar publikisht krah opozitës dhe PD-së në zgjedhjet e 11 Majit.
Në një status të bërë publik në Facebook, ai ka konfirmuar pjesëmarrjen në mitingun e demokratëve dy ditë më parë, për të cilin tha se ka mbështetur kushëririn, Elton Roshi që kandidon në listën e hapur të demokratëve.
Roshi shkruan se nuk ka shkuar i maskuar në atë miting, por ka vendosur kapuç për shkak se po binte shi.
“Unë nuk i fshihem askujt e nuk maskohem prej askujt. Unë isha në atë takim elektoral sepse unë mbështes kushuririn tim, djalin e xhaxhait, birin e Kavajës, Elton Rroshi. Dhe për të mbështetur njeriun e familjes time, unë nuk kam as frikë, as drojë e asgjë tjetër”, shkruan ish-kryebashkiaku socialist.
Mesazhi
Unë kam qenë aty me një kapuç të xhupit mbi kokë sepse jashtë po binte shi. Kaq!
Për ata që më njohin, më duan apo dhe s’më duan, e dinë mjaft mirë që kjo është shumë qesharake.
Sepse unë nuk jam nga ata burra që maskohem dhe aq më shumë të fshihem.
Sepse nuk ka arsye as të kem frikë e as të fshihem.
Për ata që më njohin apo bëjnë sikur s’më njohin, kam dëshmuar t’i bëj ballë situatave politike shumë më agresive.
Dua të sqaroj qytetarët e qytetit tim, Kavajën time të dashur!
Dua të sqaroj miqtë, shokët dhe bashkëpunëtorët politikë dhe jo vetëm!
Unë nuk i fshihem askujt e nuk maskohem prej askujt.
Unë isha në atë takim elektoral sepse unë mbështes kushuririn tim, djalin e xhaxhait, birin e Kavajës, Elton Rroshi.
Dhe për të mbështetur njeriun e familjes time, unë nuk kam as frikë, as drojë e asgjë tjetër…….. OK!
Eltoni është një djalë i mrekullueshëm, një njeri i ndershëm dhe unë do ta mbështes jo vetëm pse është njëri i fisit tim, por sepse Ai meriton të jetë një përfaqësues i qytetarëve të Kavajës, dhe qarkut të Tiranës në Kuvendin e Shqipërisë
PD dhe Roshi
Partia Demokratike e Shqipërisë ka ngritur shpesh akuza të rënda ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, duke e cilësuar atë si person me precedentë penalë dhe të lidhur me krimin e organizuar. Në vitin 2017, kreu i asajkohe të PD-së, Lulzim Basha, e akuzoi Roshin si përdhunues dhe mik të ngushtë të kryeministrit Edi Rama, duke e përfshirë dyshen Roshi-Rama në një kontekst të gjerë të lidhjeve të mazhorancës me individë me të shkuar kriminale.
Në vitin 2016, gjatë procesit të dekriminalizimit, u zbulua se Roshi kishte ndryshuar emrin nga Ervin në Elvis dhe kishte pasur probleme me ligjin në Gjermani, për të cilat ai nuk mundi të jepte shpjegime të qarta. Po ashtu, ai u akuzua nga PD për lidhje me trafik droge dhe prostitucion në Itali. Në vitin 2019, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, e lidhte emrin e Roshit me një rast abuzimi në Kavajë, duke e përdorur si shembull të keq të qeverisjes së PS-së.
Në përgjigje të këtyre akuzave, Roshi ka deklaruar se ka pasur probleme me ligjin si emigrant i paligjshëm në vitet '90 dhe se ndryshimi i emrit ishte një vendim personal. Ai dha dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut në vitin 2016, duke shpjeguar se kishte mësuar për një fakt që nuk e dinte më parë dhe që kishte shkaktuar shqetësime për familjen e tij.
Në vitin 2024, ish-kryebashkiaku Roshi u thirr nga SPAK për hetime lidhur me shpërdorim detyre dhe tendera të dyshuar gjatë mandatit të tij. Gjykata e Posaçme e shpalli të pavlefshëm vendimin për pushimin e çështjes dhe e kaloi dosjen në SPAK.
Në përgjithësi, Partia Demokratike ka përdorur akuzat ndaj Elvis Roshit për të sulmuar lidhjet e mazhorancës me individë me të shkuar kriminale dhe për të theksuar nevojën për një sistem politik më të pastër dhe të përgjegjshëm.








