
Kreu i “Nismës Thurje”, Endrit Shabani, ka komentuar për herë të parë situatën me të afërmin e tij, Zeqir Kordhoni, i cili po kërkon të marrë mandatin e deputetit në qarkun e Tiranës.
Në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, Shabani tha se ka pasur një bisedë me Kordonin, nga e cila ka kuptuar se pas kësaj lëvizjeje qëndron një hatërmbetje personale.
Sipas tij, Kordhoni është ndjerë i zhgënjyer pasi Adriatik Lapaj, në një moment të mëparshëm, kishte thënë se nuk do ta merrte mandatin – por tashmë duket se ka ndryshuar qëndrim.
“Zeqiri ka qenë numërues në zgjedhje. Është krijuar bindja sikur Zeqiri është bërë deputet, ndërkohë që nuk është e vërtetë. Ata kanë dorëzuar dorëheqjen, ndërkohë që KQZ e zvarrit këtë proces. Dokumenti është dorëzuar nga partia, i ka mbledhur dorëheqjet dhe i ka dorëzuar në KQZ. Nuk ka për ta marrë mandatin, as ai, asnjë nga kandidatët e Nismës. Zeqir Kordhoni është punëtor ndërtimi, është invalid. Mund të mos ketë shkollim shumë të madh, por ka dinjitet dhe në momentin që ndihet i përdorur, ka reaguar. Fola me të dje dhe ishte i mërzitur. Por dua të theksoj se nuk e ka marrë mandatin. Shqetësimi im më i madh është që të mbajmë skemën e listës së hapur. Ne kemi përdorur një artificë, që të mund ta përdorim në zgjedhjet e ardhshme. Por, partitë e mëdha mund të na pengojnë,”-thotë Shabani.
Shabani shtoi se një ditë më parë bisedoi me Lapajn dhe ranë dakord të përdorin të gjitha nismat ligjore që mandati të shkojë te lista e hapur.
Në Tiranë, mandatin fitues për Nismën Thurje e ka marrë Ana Dajko, ndërkohë që kandidati më i votuar nga lista e hapur është Adriatik Lapaj. Sipas marrëveshjes së brendshme të subjektit, Dajko dhe kandidatët e tjerë duhet të heqin dorë nga mandati për t’i hapur rrugë hyrjes së Lapajt në Kuvend. Megjithatë, Zeqir Kordhoni, i renditur i nënti në listën e Tiranës, duket se ka synime të tjera dhe nuk po respekton këtë marrëveshje. Vendimi përfundimtar do të merret nga KQZ, ndërkohë që ndarja e mandateve për Tiranën është ende pezull për shkak të ankimimit të bërë nga Partia Demokratike në Kolegjin Zgjedhor.







