POLITIKË /

Rikthimi ironik i Elvis Rroshit/ Si ndryshoi skena politike në Kavajë! Ish kryebashkiaku, fushatë për PD në 11 Maj

Partia Demokratike nisi një fushatë akuzash ndaj tij, që shkonin nga shpërdorimi i detyrës, shitblerja e votave, deri tek korrupsioni dhe përfshirja në trafik ndërkombëtar. Madje, emri i tij u përmend si arsyeja kryesore për nisjen e procesit të dekriminalizimit në politikën shqiptare. Sipas PD-së, Rroshi kishte qenë i dënuar për përdhunim në grup gjatë kohës kur jetonte si emigrant në Itali.

Shkruar nga Versus

Rikthimi ironik i Elvis Rroshit/ Si ndryshoi skena politike në Kavajë!

Për vite me radhë, Kavaja ka qenë një ndër bastionet më të forta të Partisë Demokratike. Që prej zgjedhjeve të para pluraliste në vitin 1991 dhe deri në ato vendore të vitit 2011, demokratët dominuan politikisht këtë qytet dhe zonat përreth. Partia Socialiste, në të gjitha këto vite, doli humbëse në garat elektorale.

Por në vitin 2011, gjithçka ndryshoi. Socialistët vendosën të kandidonin një figurë të re për kryetar bashkie: Elvis Rroshin. Në atë kohë 35 vjeç, Rroshi arriti një fitore surprizë, duke mundur kandidatin demokrat – i cili kishte tre mandate radhazi në krye të bashkisë – me një diferencë prej 880 votash.

Megjithatë, ajo fitore do të kishte pasoja të rënda për vetë Rroshin. Partia Demokratike nisi një fushatë akuzash ndaj tij, që shkonin nga shpërdorimi i detyrës, shitblerja e votave, deri tek korrupsioni dhe përfshirja në trafik ndërkombëtar. Madje, emri i tij u përmend si arsyeja kryesore për nisjen e procesit të dekriminalizimit në politikën shqiptare. Sipas PD-së, Rroshi kishte qenë i dënuar për përdhunim në grup gjatë kohës kur jetonte si emigrant në Itali.

Në vijim, një tjetër ngjarje që tronditi opinionin publik lidhej me rrëmbimin e Griseldës, ish-të fejuarës së Rroshit, çështje që opozita e përdori politikisht për të goditur mazhorancën e asaj kohe, duke e akuzuar për inskenim të një akti makabër.

Pavarësisht akuzave dhe përplasjeve politike, Elvis Rroshi gjatë mandateve të tij si kryetar bashkie mori vlerësime për transformimin që i bëri qytetit të Kavajës. Megjithatë, problemet me drejtësinë nuk e lanë kurrë plotësisht, dhe vetëm disa ditë më parë ai u paraqit në SPAK, ku është thirrur për të dhënë shpjegime në lidhje me një dosje korrupsioni që ka të bëjë me tenderat e rikonstruksionit të qytetit gjatë periudhës që ishte në detyrë.

Zyrtarisht, ai është tërhequr nga politika , por duket se do të rikthehet në skenën politike, këtë herë në mënyrë indirekte. Në zgjedhjet e 11 majit, emri i familjes së tij rikthehet në qendër të vëmendjes, pasi djali i xhaxhait të tij, Elton Rroshi, do të kandidojë në Qarkun e Tiranës, përfshirë edhe zonën e Kavajës. Ai është pjesë e listës së opozitës si kandidat i Partisë Agrare Ambientaliste të Agron Dukës, në kuadër të një koalicioni të gjerë opozitar.

Rikthimi ironik i Elvis Rroshit/ Si ndryshoi skena politike në Kavajë!

Pritshmëritë janë që Agron Duka, me këtë lëvizje, të sigurojë dy mandate deputetësh, një prej të cilëve e ka të garantuar përmes listës së Partisë Demokratike. Në anën tjetër, në primaret e zhvilluara së fundmi brenda PD-së në Kavajë, më i votuari ishte Hysen Kadiu. Por, për habinë e shumëkujt, emri i tij nuk u përfshi në listën përfundimtare të kandidatëve, vendim që burime pranë PD-së e lidhin me marrëveshjet politike që sollën në skenë kandidaturën e Elton Rroshit.

Ky zhvillim ka shkaktuar reagime të forta brenda strukturave lokale të Partisë Demokratike, veçanërisht në Kavajë, ku baza është ndjerë e anashkaluar. Por drejtuesit e PD-së e konsiderojnë këtë si një lëvizje pragmatike, me synimin për të rikthyer bastionin e dikurshëm në duart e tyre.

Ironia e madhe qëndron në faktin se Elvis Rroshi, dikur simbol i fitores socialiste ndaj demokratëve, sot ndihmon, qoftë edhe indirekt, rikthimin e demokratëve në Kavajë. /Versus.al/

 

Poll