
Ish-deputeti demokrat Muslim Murrizi ka reaguar pas zgjedhjeve për strukturat drejtuese të Partisë Demokratike, ku Flamur Noka u rikonfirmua në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së.
Në një postim në rrjetet sociale, Murrizi ka sulmuar procesin zgjedhor brenda partisë, duke pretenduar se gara ka qenë e paracaktuar dhe se disa kandidatë kanë shërbyer vetëm si rivalë formalë.
Sipas tij, përballja e vetme reale ishte ajo mes Belind Këlliçit dhe Luçiano Boçit për një nga postet e nënkryetarëve të PD-së, pasi qëllimi, sipas Murrizit, ishte largimi i Boçit nga drejtimi i partisë.
“Pas largimit të Luçiano Boçit, tani nga Rithemelimi ka ngelur vetëm Berisha dhe Muli”, shkroi ish-deputeti demokrat, duke ironizuar zhvillimet e fundit në selinë blu.
Murrizi pretendoi se procesi ka përfunduar me shndërrimin e “Rithemelimit” në “Rikthim”, duke akuzuar drejtimin aktual të PD-së se ka afruar figura që më herët kanë qenë pjesë e strukturave të drejtuara nga Lulzim Basha.
Ai kritikoi gjithashtu promovimin e disa emrave në drejtimin e partisë, duke deklaruar se PD duhet të vlerësojë më shumë kandidatët që kanë marrë mbështetje nga qytetarët përmes votës.
Ish-deputeti e cilësoi procesin jo si “ripërtëritje”, por si “ripërtypje” të debateve të vjetra politike brenda Partisë Demokratike.
Sipas Murrizit, testi i vërtetë për ekipin e ri drejtues të PD-së do të jetë rezultati në zgjedhje, ndërsa jo proceset e brendshme partiake./Versus.al

