Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka qenë i pranishëm në seancën e dytë plenare që u mbajt sot në Kuvend lidhur me votimin e komisioneve parlamentare të përhershme, diçka që duhet bërë nëpërmjet ndryshimit të rregullores së parlamentit.
Berisha akuzoi kryeparlamentarin Niko Peleshi se e kishte nisur detyrën e tij në krye të Kuvendit duke shkelur rregulloren nëpërmjet riorganizimit të komisioneve parlamentare ku sipas tij opozita nuk ka hapësirë.
“Të fillosh detyrën duke shkelmuar Kushtetutën, duke përjashtuar të gjitha hapësirat e përcaktuara nga Kushtetuta, damkos në mënyrë përfundimtare veten tënde, tregon se nuk je gjë tjetër, vetëm një sekretar mjeran i kreut të organizatës kriminale të Shqipërisë, që e ka emrin Edi Rama.
Shkelmimi i Kushtetutës, është shkelmim i vullnetit të qytetarëve shqiptarë të të gjithë spektrit, shkelmimi i Kushtetutës është një puç që i bëhet librit të shtetit, vetëm e vetëm se ju doni me shpejtësi të lani duart si Ponç Pilati pas krimit që kryeni.
Si ka mundësi, a keni ju, çfarë të thuash, njerëz që lexojnë Kushtetutën? A ke ti këshilltarë që paguan që të të lexojnë ty Kushtetutën dhe rregulloren e parlamentit, e cila për parlamentin është Kushtetuta e parlamentit, është ligji më i rëndësishëm i vendit, pas Kushtetutës. Pra, aq peshë sa ka parlamenti në jetën e një shteti dhe të vendit.
Ky është një provokacion i ulët që ju i bëni rendit kushtetues të vendit. Ky është një provokacion i ulët, që ju i bëni qytetarëve të këtij, që i bëni opozitës së këtij vendi. Akt i turpshëm! Çfarë do të thotë kjo? Çfarë e keni ju Kushtetutën, statutin e partisë suaj të krimit e keni atë, që silleni në këtë mënyrë? Prandaj dhe merr vendimin, mblidhi këshillat dhe të zbatohet Kushtetuta”- tha Berisha në Kuvend. Versus.al







