Komisioni Hetimor për koncesionet në Shëndetësi atë të “Sterilizimit’ dhe “Check Up”-it mblidhet sot për të dytën ditë radhazi ku sërish do të tentohet marrja në pyetje e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Ky i fundit u shoqërua dje nga qelia e paraburgimit ku mbahej prej muajsh dhe qëndroi për rreth 7 orë e gjysmë në ambientet e sallës së komisionit dhe të kryesisë së Kuvendit. Komisioni kishte nisur mbledhjen më herët se Beqaj të paraqitej, por pavarësisht kësaj, kur ish-ministri u ul për të dhënë dëshminë, gjithçka u vërtit rreth një prej kërkesave të tij, që ishte plani për ta prezantuar me “power point” atë çfarë donte të shpjegonte.
Kryetarja e komisionit Albana Vokshi tha se ligji parashikon vetëm një deklaratë të kontestualizuar dhe jo paraqitje me video dhe foto siç Beqaj pretendonte. Kaq mjaftoi për të ndezur debate të ashpra me deputetët e mazhorancës të cilët nuk pranuan që mbledhja të vijonte normalisht me pyetjen e Beqajt, duke pretenduar se atij po i shkelej një e drejtë kushtetuese.
Përveç përplasjeve mes deputetëve, mbledhja e djeshme e komisionit nuk prodhoi asnjë informacion të vlefshëm që shpjegonte rolin e Beqajt në koncesionin për të cilin SPAK i ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Për shkak të mungesës së disa prej dëshmitarëve, kryesisht atyre italianë që kanë refuzuar të paraqiten me arsyetimin se kanë angazhime personale, demokratët kanë propozuar që afati i komisionit i përcaktuar për të përfunduar të nesërmen, pra ditën e enjte, të shtyhet sërish. Një gjë e tillë është refuzuar nga socialistët të cilët thanë se tashmë komisioni është shtyrë dy herë dhe një shtyrje e tretë nuk do të ishte serioze. Versus.al