Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me të rinjtë në zonën e “Ali Demit” në Tiranë, iu drejtua në veçanti vajzave që do të votojnë për herë të parë më 11 maj, duke i ftuar që të ndikojnë te vota e partnerëve të tyre.
“Na duhet çdo votë, na duhet çdo lidhje të vihet në funksion të kësaj vote,” u shpreh Rama me tone të drejtpërdrejta dhe me nota humori, duke iu referuar edhe ndikimit që vajzat mund të kenë tek të dashurit e tyre.
Ai nuk i kurseu batutat, duke iu thënë vajzave që “nëse i dashuri juaj voton për ‘bufin e kënetës’, mos t’ia vini veshin fare”, duke përdorur një nga shprehjet që ka përdorur më parë për kundërshtarët politikë.
Në vijim, Rama shtoi: “Kur ju të merrni pasaportën në dorë, do thoni ‘e kam dhe unë qepallën time këtu te kjo pasaportë’. Kurse ata (djemtë) do të thonë ‘rroftë dashnorja ime, se të ishte për mua, nuk do futesha kurrë në BE’”.
Deklaratat e Kryeministrit vijnë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, ku një nga synimet është të motivohet pjesëmarrja e të rinjve në votime. /Versus.al/








