POLITIKË /

“Shqipëria e përfshirë në tregti mbetjesh toksike”, Rama i përgjigjet Bardhit: Akuza malinje! S’ka prova, vetëm dyshime

"S'kanë rrezikshmëri", kështu iu përgjigj kryeministri Edi Rama pretendimeve të Gazment Bardhit lidhur me mbetjet toksike që mund të kthehen në portin e Durrësit së shpejti.

Shkruar nga Versus
“Shqipëria e përfshirë në tregti mbetjesh
Kryeministri Edi Rama

Në seancën plenare të Kuvendit nisi interpelanca e kërkuar nga PD me kryeministrin Edi Rama lidhur me pretendimin e tyre se Shqipëria është kthyer në një vend të tregtisë ilegale të mbetjeve toksike.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi parashtroi pretendimet e tij mbi transportin e mbetjeve toksike nga Shqipëria drejt vendeve të Azisë. Bardhi tha se qytetarët shqiptarë janë të shqetësuar për shkak se ka lajme se në Shqipëri do të kthehet sasia prej 1600 ton mbetjesh helmuese të dëmshme për shëndetin e tyre.

Këtyre pretendimeve kryeministri Edi Rama iu përgjigj duke thënë se për rastin po kryhen ende hetime dhe nuk ka prova që e faktojnë një dyshim të tillë. Ai i cilësoi deklarata të tilla si ‘absurde’ dhe “akuza malinje” nga ana e PD.

Pjesë nga parashtrimi i Bardhit dhe përgjigjia e Ramës në Kuvend: 

Gazment Bardhi: Nuk pati kurajo të vinte në 4 interpelanca të tjera që kishim kërkuar.  Me Elisa Spiropalin atje sipër i duket vetja Skënderbe dhe ka ardhur në interpelancë për një çështje që duhet ta kishte sqaruar pa qenë nevoja të kërkojmë ne interpelancë.

Më 8 gusht 2024 3 organizata ndërkombëtare denoncuan se 2 anije të nisura nga Porti i Durrësit po transportonin lëndë të rrezikshme drejt Tajlandës pa marrë ndonjë konfirmim nga ky vend. Kur qeveria mësoi për mbetjet toksike refuzoi t’i pranonte në Tajlandë. Mbetjet përmbajnë okside metalike toksike të dëmshme që kërkon trajtim të kushtueshëm dhe për këtë arsye kompanitë që e prodhojnë e transportojnë për shkak se përpunimi i tyre kërkon shpenzime marramendëse.

2 anije me 816 ton mbetje po kthehen në portin e Durrësit. Porti i Durrësit jo vetëm në këtë rast por edhe në raste të tjera është shfrytëzuar për të nxjerrë mbetje helmuese drejt vendeve aziatike. Nga Porti i Durrësit prej muajsh është transportuar një pluhur helmues që del nga oxhaqet e fabrikave të firmës Sokolaj SHPK dhe mbetjet kanë të bëjnë me kompaninë e Kurum në Elbasan.

Ka patur reagime kontradiktore të disa institucioneve përgjegjëse, përfshirë ministritë. Ka dyshime se Shqipëria ka shkelur konventën e Bazelit që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme. Ngrihen dyshime se Shqipëria është përfshirë në një tregti ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme. Rezulton se në Shqipëri do kthehet një sasi prej 1600 ton mbetjesh helmuese që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, për këtë arsye kemi thirrur në interpelancë kryeministrin për të sqaruar lidhur me këtë çështje.

Kryeministri Edi Rama: Jam këtu sot për t’ju përgjigjur një kërkese interpelance në shfrytëzim abuziv të rregullores pas shkrepjes në ajër të disa akuzave malinje. Burimi i kësaj telenovele politike u shfaq paralelisht me atë të Pogradecit. Ishte një sinjalizim për transport mbetjesh të rrezikshme. Vetë organizata joqeveritare ndërkombëtare shprehet se ka dyshime por asgjë të vërtetuar, asnjë çerfitikatë analizash, asnjë provë por deri tani vetëm dyshime. Sidoqoftë që në momentin e sinjalizimit u është dhënë vëmendja e duhur këtyre sinjalizimeve. Ndërkohë që prokuroria shqiptare dhe OLAF vazhdojnë të hetojnë, goja e pahijshme e politikës së urrejtjes ka ngritur akuzat dhe ka caktuar fajtorët. Si gjithnjë akuzat janë ekstreme dhe kriminelët janë kryetarët e regjimit imagjinar me mua në krye.

Më është bërë si rregull një akuzë në javë. Unë kam kohë që nuk merrem më si më parë me akuzat dhe tellallët. Deri tani gjykata ka shpallur shpifës tellallët e gojës shtatë penxhereje. Duke qenë se në këtë rast luhet me ndjeshmërinë nervore të shqiptarëve të cilëve u flitet për një sasi mbetjesh të rrezikshme kam detyrimin të sjell disa fakte të thjeshta.

Vetëm hetimi mund të japë të dhëna konkrete dhe përfundimtare. A është kryer eksport i mbetjeve të rrezikshme? Sipas të dhënave, është e qartë se eksporti i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme. Praktika doganore e këtyre eksporteve ka të bashkangjitur certifikatën e analizës së mallit.

Në të dyja rastet, atij të transportit nga Elbasani dhe atij nga Kosova drejt Tajlandës dhe Kinës, mallrat janë transportuar nga Porti i Durrësit në ato europiane sipas rregullave ndërkombëtare, janë magazinuar përkohësisht në vendet e BE ku askush nuk i ka penguar. Më pas kanë vijuar normalisht itinerarin e tyre.

Mallra me klasifikim të tillë nuk konsiderohen si mbetje të rrezikshme. Si gjithmonë edhe aludimi për mosveprim të administratës portuale është psikopatologjik i artikuluar nga të njëjtat burime ndotëse të Tiranës politike dhe mediatike.

Edhe sikur këto mallra të ishin të rrezikshme transporti i tyre nuk është i ndaluar as nga legjislacioni kombëtar, as nga ai ndërkombëtar. Sepse mbetje të tilla transportohen rëndomtë në të gjithë rruzullin tokësor.

Skandali i transportit ndërkombëtar të mbetjeve toksike u kthye në një debat gjatë sezonit turistik në vend, pas lajmeve të publikuara në artikuj ndërkombëtarë ku thuhej se nga porti i Durrësit transportoheshin mbetje toksike drejt vendeve aziatike. Për këtë skandal, u pezullua aktiviteti i kompanisë “Kurum” ku dyshohet se prodhoheshin mbetje të tilla. Ndërsa opozita kërkoi llogari për mungesën e funksionimit të kontrollit nga ana e institucioneve mbi lëndët që transportohen nga Porti i Durrësit. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: