POLITIKË /

"S'ka humbës, vetëm fitues", Rama mesazh socialistëve që mbetën jashtë Kuvendit; Do mblidhemi të festojmë, se kemi punuar

Shkruar nga Versus
"S'ka humbës, vetëm fitues", Rama mesazh
Edi Rama

Pas përfundimit të numërimit të votave preferenciale të diasporës për kandidatët në listat e hapura, kryeministri Edi Rama u ka dërguar një mesazh socialistëve që garuan në Tiranë. Ai i falenderoi për fitoren që e quajti historike.

“Dua t’ju falënderoj të gjithëve për eksperiencën e një beteje politike të paharrueshme, ku secili e secila beri sa mundi dhe ku rezultati i përbashkët do mbetet në historinë politike të Shqipërisë, e natyrisht edhe në historinë e Partisë Socialiste, si një sukses krejt i veçantë. Faleminderit”!

Sa i takon atyre që garuan në listat e hapura, Rama uron ata që ia dolën të hjnë në Kuvend, ndërsa për ata që mbetën jashtë, shprehet se nuk ka humbës, por vetëm fitues.

“Dua t’i përgëzoj shumë përzemërsisht të gjithë ata dhe ato që në fushën e hapur të betejës, u përpoqën me të gjitha forcat e tyre dhe u bënë fuqi e shtuar e Partisë Socialiste në çdo territor!

Urime me gjithë zemër për ata e ato që ia dolën të hyjnë në ekipin e legjislaturës së ardhshme. Të gjithë atyre qe s’ia dolën u them shumë sinqerisht se duhet të jenë jo vetëm krenarë, për pjesën e tyre të çmuar në fitoren e Partisë Socialiste, po edhe të bindur se në rrugën që vazhdon, me supersfidën historike të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kontributi i tyre do të jetë shumë i nevojshëm. Prandaj kokën lart të gjithë bashkë motra e vëllezër, këtu nuk ka humbës por vetëm fitues!”- shkruan Rama.

Mesazhin e mbyll, duke u premtuar kandidatëve se do të bëjnë edhe një festë për fitoren e arritur në zgjedhjet e 11 majit.  

“Duke uruar që të gjeni pak ditë qetësi pranë familjeve e fëmijëve tuaj – Zoti i bekoftë për të gjithë barrën që mbajnë – ju përqafoj të gjithëve me premtimin se nuk do rrimë pa u mbledhur edhe live, jo për ndonjë festë të madhe, po për shijen e një gëzimi të merituar familjar si ky që vetëm ne e dimë se sa kemi punuar e jemi munduar për ta arritur”- përfundon kryesocialisti.

Më herët kreu i qeverisë ndërhyri sa i takon ankimimeve të bëra prej disa socialistëve në listën e hapur të cilët pretendonin për manipulim votash. Ai u kërkoi që të tërhiqeshin dhe kështu bënë Xhemal Qefalia e Etilda Gjonaj. Versus.al

Poll