POLITIKË /

Sot Kuvendi voton paktin PD-PS për Kodin Zgjedhor, në rend dite edhe projektligji për policinë e shtetit

Shkruar nga Versus

Sot Kuvendi voton paktin PD-PS për Kodin Zgjedhor, në rend dite edhe

Sot do të vijojë seanca maratonë në Kuvend e nisur ditën e djeshme, e cila përmbyll këtë sesion parlamentar. Gjatë ditës së sotme, pritet që të votohet projektligji për Kodin Zgjedhor të dakordësuar mes PS dhe PD më 24 korrik, pas votimit që iu bë draftit në Komisionin e Ligjeve ku mori 19 vota pro dhe vetëm 1 kundër.

Gjithashtu pjesë e rendit të ditës pritet të jenë edhe projektligjet për policinë e shtetit dhe për prodhimin e municionëve. Projektligji për policinë është debatuar në komisione të ndryshme duke ngjallur diskutime mes ministrit të Brendshëm Taulant Balla i cili pretendon se drafti do ndihmojë oficerët e rinj të bëjnë karrierë dhe opozitës që pretendon se një gjë e tillë po bëhet nga PS para zgjedhjeve për të detyruar efektivët të përfshihen në fushatë zgjedhore. 

Nga ana tjetër, projektligji për Kodin Zgjedhor mori shumë reagime pro dhe kundër nga të dyja palët politike. Te socialistët pati zëra kundër si Erion Braçe i cili tha se do të preferonte një sistem mazhoritar të votimit. Ndërsa tek opozita, pati kundërshtime të shumta, duke e konsideruar draftin e dakordësuar me PS-në si një “zhgënjim për qytetarët” dhe favorizim për “ajkën e partisë” që në publik nuk arrin të marrë shumë vota. Ndërsa dje në një deklaratë për mediat, nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi i cili edhe vetë la të kuptohej se nuk ishte dakord me një Kod Zgjedhor të tillë, tha se PD do të bëjë të gjitha përpjekjet që pika të tjera të ndryshohen në vijim deri para zgjedhjeve të ardhshme.

Por çfarë përmban projektligji aq shumë i debatuar që pritet të votohet sot dhe të jetë në fuqi për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës?

Kandidatët në listat për deputetë

Ndryshe nga sa pritej as këtë herë listat e kandidatëve për deputetë nuk do të jenë plotësisht të hapura, duke ia lënë në dorë kryetarit të partisë të zgjedhë 1/3 e kandidatëve ndërsa votuesit do kenë mundësinë të zgjedhin me votë pëlqyese më pak se një të tretën e kandidatëve. Për ta sqaruar më mirë, marrim si shembull disa qarqe të vendit në situata hipotetike për zgjedhjet parlamentare.

Në Kukës, ku dalin në total 3 mandate deputetësh, partia mund të caktojë mandatin e parë ndërsa zgjedhësit mund të zgjedhin të dytin. Por nëse në këtë qark marrin nga një mandat tre parti të ndryshme, atëherë rezulton që të tre kandidatët për deputetë të jenë të emëruar nga kryetari dhe jo të zgjedhur nga qytetarët me lista të hapura.

Në Tiranë, ku dalin 36 mandate, 12 të parët e listës së çdo partie janë të caktuar nga kryetari dhe e kanë të sigurt një vend në parlament. Pra nëse marrim si referim rezultatin e zgjedhjeve të kaluara ku PS mori 18 mandate në Tiranë dhe PD 15 mandate, i bie që me formulën e re, vetëm 9 deputetë në total të jenë zgjedhur nga votuesit.

Me këtë formulë, rezulton në fakt se listat nuk janë hapur dhe se 70% e kandidatëve për deputetë do të jenë të paracaktuar nga kryetarët. Këtë herë është hequr edhe pragu i herësit prej 10 mijëvotash të vendosur në zgjedhjet e vitit 2021, të cilin vetëm 3 deputetë arritën ta thyenin duke marrë vendin e kandidatëve të paracaktuar në listë. PS kërkoi që pragu të ishte 7 mijë vota, por u hoq me kërkesë të PD.

Vota e Diasporës

Emigrantëve shqiptarë u është vështirësuar pjesëmarrja në votime me draftin e dakordësuar mes PS dhe PD. Kështu, ndryshe nga shqiptarët që jetojnë brenda vendit, diaspora do të duhet të pararegjistrohet me kërkesë për të ushtruar të drejtën e votës dhe ky regjistrim do jetë i vlefshëm vetëm për këto palë zgjedhje, duke u caktuar emigrantëve detyrimin për t’u çregjistruar si votues rezidentë brenda vendit pasi të kenë hedhur votën për zgjedhjet e 2025-ës.

“Zgjedhësi që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të rregjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit. Shtetasit shqiptarë që janë rregjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, pas përfundimit të procedurës së rregjistrimit sipas këtij neni, ç'rregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit ”- thuhet në projektligj.

Ky është një disavantazh i madh për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të cilët duhet fillimisht të bëjnë kërkesë për regjistrim në zgjedhje dhe pasi të votojnë të çrregjistrohen nga lista e votuesve rezidentë në vend, duke e lënë të paqartë si veprohet nëse një pjesë e tyre vendosin të kthehen në atdhe më vonë për të jetuar.

Procesi i regjistrimit të emigrantëve që jetojnë jashtë vendit do të nisë 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe do të përfundojë 63 ditë para datës së zgjedhjeve ,kur KQZ do të publikojë listën e plotë të zgjedhësve që do votojnë nga diaspora. Fleta e votimit për ta do të jetë njëjtë si ajo në Shqipëri dhe do t’u dërgohet me postë nga KQZ në adresën e deklaruar prej tyre. Pasi të votojnë ata me shpenzimet e tyre, e dërgojnë sërish me postë drejt KQZ. Votat më pas do të numërohen në komisionin qendror të zgjedhjeve sipas qarqeve ku emigrantët rezultojnë rezidentë në Shqipëri. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: