
Sot në Romë do të mbahet për herë të parë takimi i qeverisë shqiptare dhe italiane. Kryeministri Edi Rama dhe 10 ministra të qeverisë kanë udhëtuar drejt Italisë dhe pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje në fusha si: mbrojtja, siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, shëndetësia, mjedisi dhe infrastruktura.
Për këtë takim reagoi në rrjetet sociale edhe kryeministri Rama i cili shkroi se do të nënshkruhen 16 marrëveshje të reja dhe e konsideroi këtë si një ditë historike.
“Mirëmëngjes dhe me krenarinë për një tjetër ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, e cila zhvillohet në Romë për t'i hapur rrugë 16 marrëveshjeve të reja konkrete të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit të ngushtë strategjik me fqinjin tonë të çmuar perëndimor, ju uroj një ditë të mbarë”- shkruan Rama.
Rama dhe Meloni do të takohen në orën 11:40 dhe në orën 12:30 do të nisë mbledhja e përbashkët mes dy qeverive. Më pas në orën 14:00 do të nisë nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit të cilat do të firmosen nga 5 ministra të qeverisë.
Përbërja e delegacionit shqiptar:
Belinda Balluku, Zv.kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
Elisa Spiropali, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme
Besfort Lamallari, Ministër i Drejtësisë
Albana Koçiu, Ministre për Punët e Brendshme
Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes
Evis Sala, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit
Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit
Sofjan Jaupaj, Ministër i Mjedisit
Adea Pirdeni, Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Versus.al
