
Ish Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas lajmit të bërë të ditur nga SPAK se së bashku me ish bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur për çështjen CEZ DIA.
Meta thotë se SPAK është një organizatë në shërbim të Edi Ramës. Sipas tij, SPAK garantoi fitoren e socialistëve duke mos u marr me krimin e inceneratorëve. Sipas tij këto zhvillime janë vetëm për të spostuar vëmendjen nga krimi zgjedhor. Ndër të tjera shpreh gatishmërinë se do përballet për këtë process të cilin e konsideron farsë.
“Pas farsës kriminale zgjedhore, që nuk mund të ndodhte pa ndihmën e SPAK edhe me rrëmbimin tim në mënyrë kriminale më 21 tetor 2024, siç e panë të gjithë shqiptarët dhe e gjithë bota, përshëndes përfundimin e farsës hetimore të tejzgjatur nga SPAK për shkak të zgjedhjeve, të nisur që në dhjetor 2019 nga Altin Dumani.
Pres me padurim, nisjen e gjykimit të këtij procesi, i cili do të jetë publik dhe do të faktojë botërisht se SPAK-u që nuk shikon krimin intelektual të inceneratorit që nuk ekziston dhe që lëshon urdhër-arreste fiktive për terroristët zgjedhorë, duke i lajmëruar që të largohen, është vetëm një organizatë në shërbim të verbër të Edi Ramës, që me “Task Force” e saj anti-opozitë i dha atij një mandat të paligjshëm vetëm me qëllimin që të garantojnë mandate të përjetshme për veten e tyre.
Nga sot ne nisim çmontimin e kësaj farse hetimore e cila kërkon të spostojë vëmendjen nga krimet e tmerrshme zgjedhore, edhe duke porositur titra te mediat e inceneratorëve për publikimin e akuzave që nuk qëndrojnë, kur çdo shqiptar e di se Ilir Meta u rrëmbye në mënyrë kriminale dhe mbahet në izolim ekstrem me zero fakte dhe zero prova penale.
Ne do të ballafaqohemi më të gjitha pseudoakuzat e formuluara nga Edi Rama dhe të nënshkruara nga mercenarët e tij.
Ne do të ballafaqohemi me të gjithë “dëshmitarët” e prodhuar nga Edi Rama dhe që kanë patur probleme me drejtësinë dhe integritetin e tyre.
Jemi të bindur në shpartallimin e plotë të kësaj farse kundër Ilir Metës si President i Partisë së Lirisë, por edhe si ish-President i Republikës, i cili provoi botërisht në Komisionin e Venecias dhe kudo tjetër, shndërrimin e Reformës në Drejtësi me 140 vota në Ramaformë me 69 vota.”- shkruan Meta.
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupionit ka përfunduar hetimet për dosjen Cez-Dia, lobimin e ish-LSI në SHBA dhe hetimin pasuror ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Brenda pak ditësh SPAK pritet të dërgojë dosjen në gjykatë ku në seancë paraprake GJKKO do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim, kthehet pas për plotësim apo pushohet. Versus.al







