Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të Partisë Demokratike, e cila e akuzoi se kishte munguar në funeralin e Papa Benediktit XVI për të zhvilluar një takim të supozuar në Beograd me djalin e ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Në një deklaratë publike, Rama i quajti këto akuza një “çmenduri”, duke theksuar se janë sajesa të pavërteta që detyrojnë madje edhe familjen e Trump të reagojë për t’i mohuar. Ai e konsideroi këtë një tjetër përpjekje të opozitës për të manipuluar opinionin publik me teori konspirative, duke shtuar se këto insinuata dëmtojnë më shumë ata që i përhapin sesa qeverinë.
Rama nënvizoi se nuk ka pasur asnjë plan për një takim të tillë dhe se mungesa e tij në ceremoninë funerale ishte e lidhur me arsye të tjera të agjendës shtetërore, duke i bërë thirrje opozitës që të ndalë shpifjet dhe të fokusohet në çështje reale që prekin qytetarët.
“Sot kishte futur në lojë nëpërmjet një çyryku që e mban afër edhe familjen e presidentit Trump. Sipas tij, unë paskësha bërë një përpjekje për shkuar në Beograd, prandaj nuk shkova për t’i dhënë lamtumirën Papës, po prita të shkojë në Beograd, se aty do shkonte djali i Trump dhe unë me vëllain tim Vuçiçin do futesha si fanti spathi dhe do ta përshëndesja, por kjo nuk ishte e mundur sepse kjo dështoi, sepse SHBA…Ok deri këtu ne i dimë.
Por kur sheh që detyrohen njerëzit e familjes së presidentit të SHBA që të mohojnë këtë çmenduri, realisht të vjen trup. Në fund të ditës, atje nuk e di njeri dhe nuk e njeh njeri përveç këtyre që marrin 6 mln dollarë, sepse po të çohet edhe Lymi i tytit të paguajë 6 mln dollarë, vjen Latifi dhe na e prezanton të gjithëve.
6 mln dollarë për të ardhur njëherë për të folur në dasmën e Lymit të Tytit vjen Latifi pa problem fare. Problemi është që pa ato 6 mln dollarët nuk e di njeri kush është Lymi” – u shpreh Rama gjatë fjalës që po mbante në Petrelë. /Versus.al/








