
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ishte i pari që mbajti fjalën e tij në protestën e nisur në orën 17:00 para godinës së qeverisë. Ai tha se protesta ishte thirrur për shkak të detyrimit që ndjejnë për të shpëtuar vendin. Ndërsa shtoi se blindat e ngritura duhet të shembeshin me çdo kusht.
“Nuk jemi mbledhur për spektakël politik, as për t’u ngopur mes veti me fjalime mbresëlënëse. Nuk jemi mbledhur sot as për t’u parë me urrejtje nga perdet dhe dritaret e frikës së pushtetit dhe as për të shpërndarë urrejtje për krimbat e krimbur në pasuri. Jemi këtu sepse vlerësojmë jetën, na ka thirrur dashuria e familjes, adhurimi mër Zotin dhe kombin, na ka thirrur rezistenca, ndërgjegjia qytetare dhe etja për të vërtetën. Jemi këtu nga guximi dhe detyra jonë për të luftuar deri në fund. Jemi këtu sepse Shqipëria nuk e duron dot më faktin të drejtohet nga një njeri që e ka kthyer shtetin në pronë private dhe pronë të grupeve kriminale. E ka kthyer qeverinë në klub të mbyllur qejfi e ahengu dhe tallet çdo ditë me fatet e shqiptarëve.
Pas atyre blindave që duhet t’i shembim me çdo kusht nuk është pushteti, aty është mbërthyer frika e pushtetit. Aty nuk është vendi i qeverisë, por i hajnisë dhe shembja e tyre është detyrë para historisë dhe para vendit”- deklaroi Boçi.
Më tej shpërtheu në akuza ndaj kreut të qeverisë Edi Rama duke thënë se ky i fundit ka marrë peng qytetarët duke u kërkuar të heshtin dhe të pranojnë fatin e tyre ose të largohen nga vendi.
“Kllouni ynë modern i shtetit tonë arkaik, hajduti i 14 miliardë eurove, Edi Rama i cili pak për neglizhencën tonë politike, pak nga humori me të cilin merren batutat e tij që shpërndajnë vetëm urrejtje, pak nga verbëria me dashje e ndërkombëtareve, më së shumti nga krimi i organizuar, e ktheu ditë pas dite republikën tonë në republikën e korrupsionit. Çdo ditë i zhvati dhe i zhveshi pasuri, tokë, det e familje kësaj republike. Ky njeri u ka helmuar jetën e fatin njerëzve më vitalë të këtij planeti dhe në fund u thotë ose rrini në heshtje ose largohuni nga vendi. Ka marrë peng këtë vend, rininë që detyrohen të largohen, fermerët, mjekët, bizneset. Ta dini mirë miq që kur përmendet emri i këtij njeriu edhe alfabeti ynë i shenjtë bëhet pis. Sepse ky ndërton kate fasadash, ndërsa shqiptarët ndërtojnë kate borxhesh”- shtoi më tej Boçi. Versus.al


