Biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale duket se i është referuar ish-zv.kryeministrit në arrati, Arben Ahmetajt duke e cilësuar ‘tigri prej letre’.
Në intervistën e dhënë për Syri TV mbrëmjen e së enjtes, Ahmetaj hodhi akuza drejt qeverisë duke e konsideruar aeroportin e Vlorës një aferë korruptive. Duke qenë se Pacolli është aksioneri kryesor i firmës që ka me koncesion aeroportin që po ndërtohet, i ka kushtuar një reagim ku shkruan se çdo pretendim të tillë ia ka lënë në dorë drejtësisë.
Pacolli e përfundon reagimin duke thënë se asgjë nuk e pengon dot ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
Postimi i Pacollit:
“Tigri prej Letre”
Deri kur do t’i qëndrojë drejtësisë ky tigër prej letre?
Një krijesë që ulërin fort në errësirë, por që shpërbëhet sapo përballet me dritën.
Unë jam nga ata që ende besojnë në sinqeritet, korrektësi, fakte dhe në një parim të thjeshtë, por të rrezikshëm për shumëkënd: përfitimi vjen vetëm nga puna, mundi dhe djersa.
Jam i bindur se drejtësia ndonjëherë vonon, por kur vjen, nuk troket – godet si rrufe.
Unë dhe vëllezërit e mi jemi në një mendje: këtë çështje ia lëmë drejtësisë, sepse ne besojmë në DREJTËSI, jo në hijet që sillen rreth saj.
Besojmë se të gjitha mekanizmat primitive –frikësimet, kërcënimet, tentativat për ndikim, pazaret nën tavolinë, falsifikimet dhe shfaqjet teatrale të “ligjshmërisë” janë të përkohshme.
Ato mund të mbajnë pushtet për pak kohë, por nuk mbajnë të vërtetën. Një ditë do të treten, ashtu siç treten të gjitha gënjeshtrat, dhe do t’i hapin rrugë asaj që s’ndalet dot: Drejtësisë së vërtetë.
Sepse tigri prej letre mund të trembë përkohësisht, por përballë ligjit dhe së vërtetës, digjet pa lënë as hi. Aeroporti i Vlorës po bëhet, pavarësisht përpjekjeve të ulëta të spekullantëve, mashtruesve dhe atyre që shesin dinjitetin për pak para, duke tentuar të përdorin madje edhe institucionet si mburojë të interesave të tyre të ndyra. E keqja mund të zhurmojë, por nuk ndalon dot të vërtetën, ligjin dhe zhvillimin”. Versus.al

