POLITIKË /

“Torta Belinda do ta lërë fajin jetim”, Bardhi i reagon Ballukut për mbetjet toksike: Porti i Durrësit, han pa porta

Shkruar nga Versus
“Torta Belinda do ta lërë fajin jetim”, Bardhi i reagon
Gazment Bardhi, Belinda Balluku

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së bërë nga zëvendës kryeministrja Belinda Balluku në deklaratën para gazetarëve sot ku tha se përgjegjësia për transportin e 800 ton mbetjeve toksike nga Porti i Durrësit duhet të shihet tek koncesionari.

Ndërkohë që në qendër të vëmendjes së hetimeve janë kompanitë “Kurum” dhe “Sokolaj”, Bardhi e cilësoi Portin e Durrësit si “han pa porta” ndërsa akuzoi zv.kryeministren se po përpiqej të shmangte gjetjen e një fajtori për skandalin ndërkombëtar.

“Porti i Durrësit sipas “tortës Belinda”, nuk ka asnjë përgjegjësi se çfarë hyn dhe çfarë del prej tij. Sipas Qeverisë, kushdo me një vetëdeklarim, fut dhe nxjerr nga Porti i Durrësit çfarë të dëshirojë. Me pak fjalë, me vetëdeklarim kokaina mund të shënohet si miell; helmi mund të shënohet si bimë kurative; makina mund të shënohet si biçikletë; paratë e pista mund të shënohen si letra higjenike. “Torta Belinda” e di më mirë se kushdo tjetër këtë, prandaj dhe nervozizmi, sulmi ndaj medias e opozitës dhe “faji i mbetur jetim” është e vetmja rrugë që i ka mbetur. Afera e trafikut ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme toksike nuk mund të realizohet kurrë pa mbështetjen, mosveprimin apo symbylljen e autoriteteve shtetërore. Edhe përgjegjësia, mosveprimi apo shkelja e ligjit nga entet private nënkupton mosveprim dhe mungesë mbikëqyrje nga autoritetet shtetërore që kanë lejuar abuzimin e privatit”- shprehet Bardhi.

Në mbyllje të deklaratës së kreut të grupit parlamentar të PD theksohet se do të ndërmerren hapat për të zbardhur plotësisht skandalin me transportin e mbetjeve toksike nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të përdorë të gjitha mekanizmat e kontrollit parlamentar për zbardhjen e plotë të kësaj çështje, duke siguruar qytetarët shqiptarë se nuk do të lejojë në asnjë rast, që për shkak të një qeverisje kriminale dhe të papërgjegjshme të Edi Ramës, Shqipëria të jetë në një rrezik permanent për shkak të sasive të konsiderueshme të mbetjeve të rrezikshme brenda territorit shqiptar”- mbyllet reagimi zyrtar i PD. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: